Bllokohet dosja “184”, Prokuroria e Dibrës refuzon të hetojë krimet zgjedhore, kërkohet ndërhyrja e KLP

0
356

Dosja e përgjimeve “184” ka mbetur pa hetues. Dy ditë më parë mediat treguan sesi prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Klodian Braho kishte shpallur moskompetencën në mes të korrikut për këtë dosje, duke rrëzuar kështu akuzat për grup të strukturuar kriminal. Pas vendimit të Brahos, dosja u transferua tek Prokuroria e Dibrës, por kjo e fundit e ka refuzuar. Një javë pasi dosja ka mbërritur në Dibër, prokuroria ka kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku të zgjidhë mosmarrëveshjen e moskompetencës pasi sipas prokurorëve të Dibrës nuk i takon atyre ky hetim. Diçka e tillë u bë e ditur dje nga një reagim zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme, ku ishin renditur edhe arsyet pse Prokuroria e Dibrës e ka refuzuar dosjen “184”. “Së pari, veprat penale janë kryer nga grupi i strukturuar kriminal dhe për këtë vepër është kompetente Prokuroria për Krime të Rënda. Së dyti, prokurori duhet t’i ishte drejtuar gjykatës për pushimin e akuzave dhe jo të procedonte me ndryshim të cilësimit juridik. Së treti, prokurorët e Prokurorisë Dibër janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk mund ta hetojnë çështjen në fjalë. Së katërti, Prokuroria Dibër nuk ka staf të mjaftueshëm për të përballuar këtë çështje”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Për këto katër arsye kur ka kaluar një muaj nga transferimi në Dibër, prokurorët atje ende nuk e kanë regjistruar dosjen 184, duke sjellë që një nga dosjet që trazoi politikën dhe opinionin publik të mbetet pa regjistrim e pa hetues.

Përgjigja e Arta Markut

Prokurorëve “rebelë” të Dibrës iu është përgjigjur Arta Marku, duke treguar se pse kjo dosje e shumëpërfolur duhet të hetohet nga ata. Sipas saj, ajo nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë situatë sepse shpallja e moskompetencës është e drejtë e prokurorit të dosjes. “Prokurori i Përgjithshëm, pavarësisht se, sipas nenit 89, pika 2 të K. Pr. Penale, duke qenë prokurori më i lartë, ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, nuk e ka kompetencën që të shfuqizojë aktet, urdhrat apo vendimet e prokurorit të çështjes (neni 148/b i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe neni 38, i ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”). Por, duhet theksuar se çdo vendimmarrje e prokurorit, qoftë edhe ajo për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, kontrollohet nga gjykata, e cila përpara se të fillojë shqyrtimin e kërkesave të prokurorit, verifikon nëse e ka kompetencën lëndore apo tokësore për gjykimin e çështjes”, citohet në reagimin e Markut. Kryeprokurorja kërkoi që për zgjidhjen e situatës të ndërhyjë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Për Markun, KLP mund të zgjidhë konfliktin e interesit dhe numrin e paktë të prokurorëve. “Nëse të gjithë prokurorët që ushtrojnë funksionin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër do e gjejnë veten në kushtet e konfliktit të interesit dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës dhe këtë do e shprehin me dorëheqje, kjo është një situatë që i duhet njoftuar menjëherë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili mund të caktojë përkohësisht një prokuror tjetër për hetimin e çështjes në fjalë. Edhe argumenti tjetër se Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër nuk ka kapacitetet njerëzore, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore pranë prokurorisë, për hetimin e mëtejshëm të këtij procedimi penal, kjo e konfirmuar edhe me kërkesat e vazhdueshme që i janë bërë KLP-së për prokurorë, nuk është i tillë që të ndikojë në përcaktimin e kompetencës lëndore”, tha Arta Marku.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here