Dekorimi i ambasadores greke Eleni Sourani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga presidenti Ilir Meta, ka trazuar ujërat në vend. Edhe pse për një pjesë të madhe të mediave dhe politikanëve kaloi në heshtje, një gjë e tillë nuk është kapërdirë nga çamët. Madje kjo ka futur dhe në sherr Metën me Shpëtim Idrizin. Shoqata Çamëria, e cila është bashkë me PDIU ka reaguar ashpër ndaj presidentit. Sipas saj, u dekorua përfaqësuesja e një shteti që ka përdhosur për vite me radhë komunitetin çam. “Ndoqëm sot me habi dhe zemërim të ligjshëm ceremoninë e dekorimit të ambasadores greke në Tiranë, Eleni Sourani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Është për tu vajtuar se si Kalorësja e Urdhrit të Skënderbeut, do luftojë kundër Ligjit të Luftës që vendi i saj Greqia, mban paturpësisht me vendin e Skënderbeut. Nuk dimë për cilat merita të veçanta dekorohet një individ i cili ka bërë të pamundurën të minojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritarëve, siç ishte rasti i Kacifas. Kur ka kërkuar heqjen e pllakës së Çamërisë nga sheshi Skënderbej, kur ka mohuar e përdhosur vuajtjet e këtij komuniteti duke i njehsuar si palë me nazizmin gjerman, e në të gjitha rastet e tjera kur ka pasur rol thjesht luftënxitës në problemet delikate e ende të pazgjidhura mes dy vendeve. Nuk i dimë meritat e kësaj kalorëseje të Skënderbeut, kur dhjetëra pleq çamëkthehen në kufi e u grisen pasaportat Shqiptare, sepse kanë të shënuar vendlindjen e tyre Filat, Margëlliç, Paramithi, Arpic, Volë, Pargë, Artë, Gumenic, Janinë, Prevezë, etj”, thuhet në deklaratë. Më tej i është dhënë dhe një goditje e drejtpërdrejtë presidentit Meta. Ky i fundit ka folur shpesh për Mic Sokolin apo Esat Toptanin, por Shoqata Çamëria i ka kërkuar që të bëjë dallimin mes tradhtarëve. “Presidenti i cili shpesh i referohet figurave historike, duhet të dijë mirë të bëjë dallimin mes Mic Sokolit e Esat Toptanit, e të tërheqë me urgjencë një titull i cili po shpërdorohet, sepse nuk ka asnjë arsye ti jepet këtij individi. Si përfaqësues i Unitetit të Kombit, do ti duhej që përpara se të shpërndante titujt te kjo kategori individësh, ti referohej historisë shqiptare e të kishte ndjeshmërinë e vuajtjeve dhe persekutimit të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, sepse nuk vlen të duash veç malet e pyjet, po mbi të gjitha lipset të respektosh shqiptarët e të sillesh me dinjitet e reciprocitet në raport me fqinjin”, thuhet aty.
Sherri Meta Idrizi
Shoqata Çamëria është bashkë me PDIU, e cila drejtohet nga Shpëtim Idrizi. Deklarata e tij e djeshme tregon qartë se ka plasur sherri Meta-Idrizi. Ky i fundit gjithmonë ka flirtuar me Metën. Kur ishte në koalicion me Ramën, nisi të mbështeste Metën dhe kjo solli më pas revanshin e PS, e cila e la jashtë Parlamentit dhe i mori të gjithë deputetët. Më pas Idrizi kaloi te PD, ku dhe aty nuk ndjehet rehat. Po ashtu disa herë shfaqi mbështetje për Metën. Por duket se dekorata për ambasadoren greke e ka përplasur me Presidentin. Reagimi i djeshëm i Shoqatës Çamëria tregon qartë përplasjen mes palëve. Veprimi i Metës dje ka qenë vërtet i dyshimtë. Sapo mori postin e Presidentit, i dha nënshtetësi Janullatosit, ndërsa dje dekoroi ambasadoren greke. Si për ironi, teksa Meta e dekoronte, kryeministri grek paralajmëronte veto për negociatat. Pra, nga njëra anë shteti grek nuk na sheh kurrë si miq, ndërsa nga ana tjetër, presidenti dekoron ambasadoren dhe flet se jemi bashkë të dy popujt. Por dyshimet janë se Meta po mundohet të gjej mbështetje te grekët apo turqit pas prishjes me SHBA.
Kliti Topalli