Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, jepen detaje mbi vdekjen e Hoxhës dhe marrjen e pushtetit nga Alia. Aty tregohet se si në Kosovë nuk u përjetua fare vdekja e diktatorit.
Izolimi i Shqipërisë
16 prill 1985
Udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, iu bë një funeral prej heroi sot në Tiranë, ndërsa pasuesi i tij e bëri të qartë në eulogjinë e tij se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e izolimit. Pasuesi i tij 59 vjeçar Ramiz Alia, tha në fjalimin e funeralit se Hoxha ishte “njeriu më i madh që kishte lindur vendi”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve. Alia, i cili ka qenë president që prej vitit 1982, ngriti lart refuzimin e Hoxhës së lidhjeve me Perëndimin, Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë e Kinën.
Nacionalizmi post-Hoxha i shqiptarëve në Jugosllavi
21 prill 1985
Teksa udhëheqësi stalinist Enver Hoxha varrosej sot në Tiranë, shqiptarët e minoritetit të madh të Jugosllavisë në Kosovë, as nuk mbajtën zi e as nuk shfrynë ndjenjat e tyre nacionaliste që kohët e fundit kanë qenë në rritje. Disa prej tyre që mund të shohin televizionin e Tiranës, ndiqnin rrugën e arkivolit të Hoxhës në bulevard, në ceremoninë e modeluar ngushtë sipas asaj të Stalinit. Disa të tjerë dëgjonin fjalimet në Radio Tirana, që ndërthureshin me programe të vrazhda kulturore e muzikore, duke përfshirë dhe një këngë të titulluar “40 vjet ndërtim i socializmit në fshat”. Por me gjithë dëshmitë e grupeve të emigracionit në Perëndim, në këtë qytet nuk ka demonstrata studentore, ku ndërtesat e larta të bankave ngrihen mbi minaret dhe tregun oriental. Në provincën e Kosovës në Jugosllavi nuk janë shfaqur parulla të reja të shkruara në mure si ato ”Kosova Republikë,” që kanë çuar në burg disa qindra të rinj.
Shqetësim prapa qetësisë
Por nën aparencën e qetësisë, ka prova për shqetësim të thellë. Asnjë zyrtar nuk dëshiron të flasë me vizitorët për situatën ose të paktën pa garanci anonimati. Lidhja komuniste është mbledhur në ditën e funeralit për të diskutuar çështjen e territorit, teksa si këtu dhe në Beograd problemi i Kosovës është i dyti, pas ekonomisë në rënie. “T’ju them të vërtetën isha i surprizuar që gjërat ishin kaq të qeta’,’ thotë Miso Kikovick, gazetar me bazë në Prishtinë, për një gazetë të Beogradit. Ai thotë se qeveria kishte pritur protesta, sado të vogla pasi vdekja e udhëheqësit shqiptar koincidonte me përvjetorin e katërt të demonstratave të studentëve kosovarë, ku u vranë të paktën 9 njerëz. Por sado që të ishte numri i viktimave, trazirat tërhoqën vëmendje në të gjithë Jugosllavinë për ndërgjegjësimin në rritje të shqiptarëve etnikë, që mund të sjellë probleme për federatën e balancuar mes grupeve kombëtare.
Ringjallja e makthit të Ballkanit
Në shtypin vendas raportohet se shqiptarët e serbët diskutuan problemet territoriale dhe kritikat ndaj qeverisë, që nuk ka mundur të ndalojë zjarrvëniet e mullarëve të kashtës dhe dhunimet e varrezave, të cilat kanë shpejtuar largimet e serbëve e malazezëve nga rajoni. Folës të tjerë i dënuan këto akte, por thanë se ato nuk ishin shkaku i vërtetë i largimeve. Ata thanë se largimi i serbëve vinte nga varfëria e rajonit dhe se nga pjelloria e madhe e shqiptarëve etnikë ky grup po bëhej shumë më i madh e dominues. Konsensusi i takimit ishte dënesa ndaj akteve të nacionalizmit, ndërsa përsëriti apelin për statusin e republikës dhe të shpenzimeve zhvilluese në Kosovë, që është rajoni më i varfër i Jugosllavisë. Në investimet e reja përfshihet ndërtimi i strukturave dhe integrimi ekonomik me pjesën tjetër të Jugosllavisë, në mënyrë që të qetësohet nacionalizmi.
Nga fshat, në qytet të zhurmshëm
Vetë qyteti është dëshmi për politika tilla. Një zyrë e re gazetash, banka të larta dhe një hotel i madh ngrihen tani aty në vend të fshatit që ishte një dekadë më parë. Në qendër është universiteti me 26,000 studentë, i treti më i madh në Jugosllavi. Një profesor tha se shumica e studentëve ishin fëmijë fshatarësh, shumica e të cilëve analfabetë. Shumica e tyre studiojnë letërsinë shqipe, gjuhë dhe histori. Profesori shton se ekonomia vendase nuk mund t’i absorbojë ata dhe kjo do të bënte që numra të mëdhenj të rinjsh të arsimuar, nacionalistë dhe të papunësuar të krijonin një përzierje të rrezikshme, në një kohë kur shteti përtej kufirit mund të përfitojë nga zhgënjimet e tyre. Asnjë nga njerëzit që hasen në kafenetë e Prishtinës nuk duket se kanë simpati për qeverinë e Hoxhës apo pasuesin e tij Ramiz Alia, i cili në fjalimin e funeralit u zotua të vazhdojë politikat e Hoxhës për izolimin dhe të përçmimit si revizionistë të Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe Jugosllavisë. ”Ne e dimë se atje nuk ka liri,” tha një i ri që pinte kafe turke, “dhe se kishat e xhamitëjanë mbyllur, apo se rreth 60,000 njerëz janë vrarë për arsye politike. Por gjithashtu e dimë se populli aty janë vëllezërit tanë. Janë shqiptarë si ne”. Çështjet kulturore duket se dominojnë ndaj atyre ekonomike. “Duhet të kuptoni,” thotë Idris Ajeti, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare të Kosovës, ”se shqiptarët janë një popull i vjetër, me origjinë nga ilirianët e lashtë. Por në terma moderne ata janë një komb i ri. Vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore e jetuan atë rilindje që kombet evropiane kanë jetuar në shekullin e 19-të”.
Të trazuar nga poezia
Pak para funeralit të Hoxhës, u krye një konkurs poezie ku të rinjtë shqiptarë recitonin poemat e lashta. Disa prej tyre përdorën temën e Luftës II Botërore, por një i ri që ishte prezent sa herë që përdorej fjala ‘partizan’ – një term i konsideruar i lartë në Jugosllavi- audienca kuptonte se i referohej grave e burrave të burgosur për mbrojtjen e nocionit të vetëqeverisjes së Kosovës në Jugosllavi. Një i huaj që ka lidhje me të rinjtë thotë se shumica e të rinjve kërkon që vetë-qeverisja të përfshihet në kuadrin e Jugosllavisë. Ai theksoi se autoritetet në Beograd ishin me fat që qeveria e Tiranës ishte e mbyllur dhe e ashpër, pasi në rast tjetër ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës do të bëheshin më të forta. Ndërsa në Beograd gjërat shihen ndryshe. Në një konferencë të kryeqytetit ish-kryeministri jugosllav Mitja Ribicic, tha se shpresonte për përmirësim të lidhjeve me Shqipërinë, duke thënë se “ajo është atdheu i njerëzve që jetojnë në vendin tonë”. Por ai shton se një ndryshim i mundshëm kufijsh është jashtë diskutimi pasi do të ishte njëhap drejt trazirave. “Askush në Evropë nuk e favorizon këtë.
5 tetor 1985
Përtej perdes së Shqipërisë, shefat e rinj stabilizohen në poste
Presidenti i Shqipërisë dha sot një fjalim të gjatë për politikat e brendshme dhe të jashtme, por jashtë vendit askush nuk i vuri mendjen. Ndërsa studiuesit e paktë të Shqipërisë thanëse fjalimi i tij, i titulluar ”Shqipëria gjithmonë përparon në rrugën drejt socializmit’, përfshinte disa nuanca të reja në mendësinë e vendit më të izoluar të Evropës, në lidhje me vendet e tjera. Por fjalimi i Ramiz Alia mori peshën e një deklarate serioze kur u shpërnda i përkthyer nga misionet diplomatike shqiptare nëpër botë, bashkë me një foto elegante të udhëheqësit para mikrofonit. Në SHBA fjalimi u shpërnda nga misioni shqiptar në OKB në New York. Ky është fjalimi i parë nga President Alia, që shtypet dhe shpërndahet gjerësisht. Vetëm katër muaj pas vdekjes së udhëheqësit të vjetër komunist Enver Hoxha, fjalimi duket si një pranim i plotë i Alias si pasues i tij. Më parë këto lloj publikimesh bëheshin vetëm për veprat voluminoze të Hoxhës.
Konsolidimi i pushtetit
Një tjetër shenjë e konsolidimit të pushtetit nga Alia është dhënë dhe nga e veja e Hoxhës, Nexhmije Hoxha, 64 vjeçe, anëtare e Komitetit Qendror të partisë dhe ende figurë e rëndësishme në politikën shqiptare. Gjatë një vizite të saj në hidrocentralin Koman më 12 shtator, i cili është quajtur Enver Hoxha, ajo foli me superlativa për ish-burrin, por dhe për President Alia. Mes prioriteteve të reja në fjalimin e Alias, ishte pranimi se Shqipëria kishte nisur bisedimet direkte me Britaninë për kthimin e $36 milionëve në flori, që më parë i përkisnin shtëpisë mbretërore të Zogut. Floriri ishte sekuestruar nga Italia gjatë Luftës II Botërore, i kapur më pas nga ushtria gjermane dhe i magazinuar në një minierë kripe në Gjermani, ku u gjet nga Aleatët. Ai tashmë mbahet nga Banka e Anglisë në pritje të dispozitave nga Londra, Parisi dhe SHBA. President Alia pranoi më tej se në bisedime përfshihen dhe pretendimet britanike për dëmshpërblim ndaj fundosjes së dy luftanijeve në incidentin e Korfuzit në 22 tetor 1946, nga minat detare pranë brigjeve shqiptare, ku u vranë 38 marinarë. Britania ka fituar një vendim të Gjykatës Botërore në favor të saj. Alia tha se Shqipëria refuzon përgjegjësinë për minimin e ngushticës detare, por çështja është tashmë në tryezën e negociatave për herë të parë.
Francezi në Shqipëri
Alia nuk e përmendi Francën, me të cilën Shqipëria po përpiqet të përmirësojë lidhjet, por muajin e kaluar një delegacion francez i drejtuar nga sekretari i shtetit për marrëdhëniet me jashtë Jean-Michel Baylet, ka kryer një vizitë 48 orëshe në Shqipëri, dhe është takuar me kryeministrin Adil Çarçani, dhe autoritete të tjera të tregtisë, arsimit e kulturës. Po ashtu Alia nuk përmendi dialogun e qeverisë së tij me Gjermaninë Perëndimore, i cili ka nisur gati një vit më parë me qëllim nisjen e marrëdhënieve diplomatike por dhe në lidhje me kompensimin e kërkuar për pushtimin e shkurtër nazist të vendit gjatë Luftës II Botërore. Por ai foli gjatë për prioritetet e politikave ndaj fqinjëve të afërt dhe atyre në kontinent. Greqia për shembull, me të cilën Shqipëria ka krijuar lidhje të mira edhe në kohën kur Hoxha ishte gjallë, ishte një nga prioritetet e Alias, për të cilën ai tha se ishte bërë progres i dukshëm në marrëdhëniet tregtare, kulturore, në komunikime dhe turizëm.
‘Dy popuj miq’
Alia foli për grekët në një kontekst të veçantë, duke iu referuar pretendimit shqiptar si pasardhës të ilirëve të lashtë: ”Ne kemi qenë dhe jemi dy popuj miq, dy nga popujt më të vjetër në Ballkan që na lidh fati i përbashkët historik”. Në lidhje me Turqinë, pararendësit otomanë të së cilës dominuan Ballkanin dhe Shqipërinë për rreth 500 vjet, Alia, vetë me origjinë myslimane, tha: ”Marrëdhëniet tona me Turqinë janë zhvilluar në një atmosferë harmonie e miqësie”. Në lidhje me Italinë, Alia foli me mirësjellje duke theksuar ”progresin e dukshëm” në tregti, kulturë dhe shkëmbimet teknologjike. Dhe në fakt marrëdhëniet e vendit me Italinë janë ndoshta më të afërta se me çdo vend tjetër perëndimor. Në lidhje me Jugosllavinë Alia foli me një përzierje shprese dhe keqardhjeje, teksa lidhjet mes dy vendeve janë trazuar vitet e fundit prej problemeve me minoritetin etnik shqiptar në Kosovë, mbi kufirin verior të Shqipërisë.
Sulmon BRSS dhe SHBA
Alia vazhdoi sulmet e regjimit ndaj Bashkimit Sovjetik njëlloj si ndaj SHBA: ”Vendi ynë është kundërshtar i vendosur i politikave agresive ekspansioniste të imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik”. ”Qëndrimi ynë ndaj tyre mbetet i qartë; Shqipëria nuk do të ketë kurrë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik. Qëndrimi ynë nuk vjen si rezultat i kapriçove apo frikës, por vjen nga papërshtatshmëria me politikat imperialiste që ata ndjekin”. Si për të shuar çdo dyshim, Alia shtoi se pas vdekjes së Hoxhës “të gjitha ata që presin ndryshime të linjës sonë, që interpretojnë politikat normale e diplomatike si hapje të Shqipërisë apo anësi me vende të caktuara, po harxhojnë kohën kot”. Kështu duket se presidenti Alia ka ndërmend të ndjekë të njëjtën politikë të 10 viteve të fundit të Hoxhës, duke evituar lidhjet me fuqitë e mëdha siç kishte qenë praktika e Shqipërisë me Italinë, Gjermaninë, Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik e Kinën.
Paralajmërime të ashpra
Por me gjithë izolimin e vendit, zakonet dhe kultura perëndimore kanë depërtuar në Shqipëri me anë të televizionit, radios dhe atyre 4,000 turistëve që pranohen çdo vit. Kjo ka sjellë paralajmërime të ashpra në edicionin e korrikut të revistës partiake “Rruga e Partisë”. ”Armiqtë tanë janë të shumtë. Ata ushtrojnë diversion të vazhdueshëm ideologjik me anë të transmetimeve, reklamave dhe vizitorëve. Është e ditur se ata gjejnë mundësitë për të shpërndarë farën e tyre djallëzore te të rinjtë e papjekur. Dobësimi i forcës tonë goditëse sjell lindjen e flokëve të gjata apo pantallonave të ngushta”. Besimi fetar gjithashtu ka nisur të ngrejë disi kokën në Shqipëri, vendi ku ateizmi ka qenë politika shtetërore. Qeveria paralajmëron me urgjencë se nuk duhet toleruar ringjallja e riteve fetare.
13 tetor 1985
Kim Philby dhe misionet e agjentëve në Shqipëri
Në librin ”Lufta ime e heshtur,” agjenti i dyfishtë Kim Philby mburret me dështimet e operacioneve sekrete të Britanisë dhe Amerikës për përmbysjen e regjimit komunist të Shqipërisë në vitet 1949 deri në 1953. Spiuni sovjetik Philby, punonte brenda inteligjencës britanike, për pjesën që ai ka luajtur në sabotimin e këtyre operacioneve. Në 25 vitet e fundit kanë dalë vetëm copa informacionesh në publikime të ndryshme për rolin e Philby por historia e plotë e operacioneve shqiptare nuk është treguar nga agjencitë britanike e amerikane. Libri i Nicholas Bethell “I tradhtuar,” bazuar në intervista me të mbijetuarit e misioneve dhe me agjentët që kanë stërvitur grupet shqiptare, ngre disi perden e sekretit. Deputeti britanik Bethell, jep shumë detaje përse Shqipëria u zgjodh për operacione subversioni, si dhe masën në të cilën tradhtia e Philby e bëri më të lehtë eliminimin e tyre. Arsyeja që Londra e Uashingtoni tentuan të përmbysin regjimin e Enver Hoxhës ishte e dukshme. Pas qershorit 1948, kur Jugosllavia u përjashtua nga blloku komunist, Shqipëria mbeti gjeografikisht e izoluar nga orbita sovjetike dhe u bë hallka më e dobët e zinxhirit të vendeve të Stalinit. Prandaj mendohej se do të ishte më e thjeshtë që të fillohej me të për të hapur rrugën dhe për vende të tjera të ndaheshin nga blloku. Operacioni u drejtua nga oficerë britanikë që kishin qenë në Shqipëri dhe kishin punuar me stërvitjen e partizanëve gjatë Luftës II Botërore në 1943-44. Në pranverën e 1949, shërbimet sekrete britanike dhe zyra amerikane e koordinimit (O.P.C., që rrjedhimisht u kthye në C.I.A.) morën lejet e nevojshme nga ministri i Jashtëm britanik Ernest Bevin, dhe sekretari amerikan i shtetit Dean Acheson, për të vijuar me projektin. Presidenti amerikan Truman dhe kryeministri britanik Attlee dhanë miratimin e tyre për ngritjen e kampit të stërvitjes së agjentëve shqiptarë në Maltë. Deri në tetor 1949 grupet e para të sabotatorëve kishin nisur lëshimet e zbarkimet në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë Kim Philby u vendos në detyrë në Uashington për ndërlidhjen e shërbimeve britanike me F.B.I. e C.I.A. Operacionet shqiptare zgjatën rreth dy vjet para se Philby të thirrej përsëri në Londër në qershor 1951 dhe më vonë të pezullohej, çka çoi në dezertimin e tij në Bashkimin Sovjetik. Siç tregon Lord Bethell në librin e tij, asnjë nga grupet e shumta të dërguara në Shqipëri nuk arriti të realizojë misionin. Nga viti 1949 deri në 1951, kur Philby ishte në Uashington dhe raportonte informacionet në Moskë, forcat shqiptare të sigurisë me lehtësi rrethonin agjentët sapo ata zbarkonin. Në dy vitet e ardhshme kjo u bë më e thjeshtë nga fakti që ashtu siç e thotë dhe Hoxha në librin e tij ”Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë,” ”ne i detyronim agjentët e kapur të kontaktonin me radio me qendrat e spiunazhit në Itali e vende të tjera…. Bandat e kriminelëve lëshoheshin me parashutë ose infiltroheshin nga kufiri dhe vinin si qengjat në thertore.” Nuk mund të llogaritet nëse misionet do të kshin pasur sukses nëse nuk do të kishte qenë tradhtia e Philby. Refugjatët e rinj shqiptarë që formonin grupet e të infiltruarve ishin njerëz të guximshëm dhe patriotë, por influenca e tyre niste dhe mbaronte vetëm në fshatrat e origjinës. Ashtu siç sugjeron autori, gabimi kryesor në përgatitjen e operacionit ishte nënvlerësimi i kontrollit të regjimit të Hoxhës në zonat rurale pasi të infiltruarit kalonin shumicën e kohës duke u fshehur dhe nuk ishin në gjendje të kryenin detyrën e tyre. Hoxha mbeti në pushtet deri në vdekjen e tij në prill 1985.