Kukësi nuk zë mend, rrit çmimin e biletave për të frenuar “uraganin e kuq” në “Elbasan Arena”

0
381

Kukësi u bë shënjestër e kritikave sezonin e kaluar kur e spostoi ndeshjen me Partizanin nga Kamza në “Loro Boriçi” të Shkodrës, me qëllim që të kishte shumë pjesëmarrje, por më pak tifozë të Partizanit. Gaboi, pasi stadiumi mbeti bosh dhe vetë Kukësi humbi tifozët e tij e për pasojë edhe e humbi atë takim. Të njëjtin gabim Kukësi duket se po e bën që në startin e këtij sezoni, ku për ironi sërish përballë është Partizani, por këtë herë jo në Shkodër por në “Elbasan Arena”. Kuksianët janë skuadër pritëse, por nuk luajnë në Kukës pasi nuk kanë stadium, kështu që impianti në Elbasan i shkon për shtat edhe Partizanit. Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë, por këtë herë çmimet e biletave janë penguese për tifozeritë, pasi Kukësi e ka lëshuar paksa dorën në këtë drejtim, duke menduar se mund të përfitojë nga prania e një numri të konsiderueshëm fansash. Kështu, edicioni i ri i Kategorisë Superiore do të nisë ditën e premte me takimin mes Kukësit dhe Partizanit që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Në prag të këtij takimi, Kukësi ka publikuar çmimin e biletave për ndeshjen e parë sezonale. Në një kampionat ku numri i tifozëve është me pikatore, Kukësi e ka vështirësuar edhe më shumë praninë e tyre. Një biletë për një ndeshje të thjeshtë kampionati, për më tepër në një stadium neutral do të kushtojë 500 lekë, ndërkohë që bileta në hyrjen VIP, 1000 lekë. Këto çmime janë relativisht të papërballueshme për tifozët shqiptarë, duke parë edhe orarin dhe ditën në të cilën luhet takimi. Përveç faktit që takimi do të luhet të premten që është një ditë pune, tifozët e të dyja skuadrave duhet të bëjnë edhe disa shpenzime për të shkuar deri në Elbasan me makinat e tyre personale, pasi në atë orar nuk ka transport. Kujtojmë që të njëjtën politikë, Kukësi e ndoqi edhe në ndeshjen e luajtur në Shkodër, ku Kukësi barazoi 1-1 ndaj Partizanit. Pra, ndeshja e ditës së premte midis dy skuadrave pretendente në kampionat, që shënon edhe startin zyrtar të Kategorisë Superiore për këtë edicion, do të verë përballë rivalët kryesorë, por njëherësh do të ngjallë polemika për sjelljen e Kukësit rreth biletave dhe tifozerive. Ndërkohë, Partizani duket më i organizuar dhe ka më shumë shanse për rezultat maksimal. Dejan Boldor ishte një ndër prurjet e funti të Partizanit të këtij sezoni, por është kthyer menjëherë në një element kyç të skuadrës kryeqytetase. Mbrojtësi rumun i huazuar nga Verona, ka bërë mjaft mirë deri tani në qendër të prapavijës përkrah Belicës e Bitrit, duke treguar se është një afrim me shumë vlera dhe një lojtar që mund të bëjë diferencën. Ai ka shijuar suksesin e parë me këtë skuadër, duke e ndihmuar që të mposhtë Kukësin në Superkupën e Shqipërisë, por mendon se përballja e radhës me verilindorët, për kampionatin, do të jetë krejtësisht ndryshe. “Mendoj se janë ndeshje të ndryshme se të parën e luajtëm për trofe të rëndësishëm për klubin e tifozët. Tani do të luajmë për kampionatin dhe Kukësi do të jetë i përgatitur dhe nuk do të na e bëjë të lehtë aspak të premten. Do të shohim Partizanin të uritur për të fituar dhe do të bëjmë gjithçka të tregojmë se jemi gati për sezonin. Të gjithë të sigurohemi që të japim sa më shumë në fushën e blertë, gjithkush do të bëjë më të mirën që Partizani të dalë fitues”, tha ai për “RTSH”. Boldor tregon se puna e bërë jashtë fushës stërvitore, duke analizuar problemet e ekipit, është një ndihmë shumë e madhe dhe shpreson që skuadra të korrigjojë ata mangësi që shfaqi pak ditë më parë në finalen e Superkupës. “Ne gjithmonë analizojmë ndeshjet kur kanë përfunduar që të shohim ku kemi gabuar e bërë mirë. E rëndësishme është që e gjithë skuadra të kuptojë se analiza na ndihmon shumë të përmirësohemi individualisht. Shpresojmë që ndaj Kukësit të mos bëjmë të njëjtat gabime”, deklaroi 24-vjeçari. Kjo deklaratë tregon se Partizanin nuk e trembin lëvizjet e Kukësit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here