KLSH jep alarmin për ndotjen akustike, institucionet asnjë plan masash, Këshilli për Zhurmat inekzistent

0
362

Kontrolloi i Lartë i Shtetit ka dhënë alarmin sa i takon ndotjes akustike në vend. Gjatë një auditimi për vitin 2019 në Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh nga këto institucione. Kryetari i KLSH Bujar Leskaj pas auditimit të performancës “Ndotja akustike” ka dhënë 39 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në këtë auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale lidhur me zhurmat mjedisore dhe efekteve negative që ato japin në shëndetin e qytetarëve në vend. Sipas raportit të KLSH, në fokus të auditimit ishte përshkrimi i situatës aktuale, vlerësimi i monitorimit dhe inspektimit, si dhe evidentimi i studimeve apo projekteve të realizuara nga institucionet përgjegjëse. Në këtë auditim, i cili ka mbuluar periudhën 2016–2018 është analizuar efektiviteti i institucioneve subjekt auditimi të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e zhurmave në mjedis dhe problematikave të dala prej tyre.

Auditimi në ISHP

KLSH e shtriu auditimin edhe në Institutin e Shëndetit Publik. Në raportin përfundimtar, theksohet se ky institucion nuk ka bërë asnjë vlerësim të efekteve negative që vijnë nga zhurmat mjedisore. Sipas KLSH, ISHP nuk ka bërë një studim për të vlerësuar lidhjen shkak-pasojë mes zhurmave mjedisore dhe sëmundjeve që shkaktohen prej tyre. “Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nuk ka mundur të vlerësojë nëpërmjet studimeve epidemiologjike efektet negative në shëndet të zhurmave mjedisore për sëmundje të caktuara si për shembull sëmundje kardiovaskulare, hipertension, etj. ISHP nuk ka asnjë metodologji/manual/udhëzim për të vlerësuar barrën mjedisore të zhurmave duke përllogaritur “YLL” (Vitet e humbura të jetës) dhe “YLD”, (Vitet e jetuara me paaftësi). Studimet epidemiologjike janë shumë të rëndësishme për të vlerësuar lidhjen shkak pasojë midis zhurmave mjedisore dhe sëmundjeve të ndryshme si ato kardiovaskulare etj”, thuhet në raportin e KLSH.

Auditim në Ministrinë e Turizmit

Por auditimi i KLSH u shtri edhe në Ministrinë e Turizmit, ku edhe në këtë institucion u gjetën një sërë shkeljesh. Në raportin e KLSH, theksohet se Këshilli Teknik për Zhurmat, i cili duhet të jetë një organizëm ndërinstitucional këshillimor sa i takon çështjeve të zhurmave, nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjë herë të vetme. “Këshilli Teknik për Zhurmat nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë. Ai duhet të funksionojë pranë ministrit të MTM si një organizëm ndërinstitucional këshillimor për çështjet e zhurmës; Ministri i MTM, në bashkëpunim me ministrin që mbulon rregullimin e territorit, nuk kanë miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat për reduktimin e zhurmave në mjedis që në procesin e hartimit të planeve të rregullimit të territorit; Ministri i MTM, në bashkëpunim me ministrin që mbulon punët publike, nuk ka miratuar udhëzimin për rregullat teknike dhe masat e mbrojtjes nga zhurma që në fazën e projektimit dhe gjatë ndërtimit të ndërtesave; Ministri i MTM, në bashkëpunim me ministrin që mbulon punët publike, nuk ka miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat e verifikimit akustik të ndërtesave, para se ato të vihen në përdorim”, thuhet në raportin e KLSH. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here