Boris Johnson pritet ngrohtësisht nga Angela Merkel, gjatë udhëtimit të tij të parë në Berlin si Kryeministër Britanik, ndërsa duket se kjo vizitë ka prodhuar aludimin e parë të një kompromisi të mundshëm për Brexit.
Por surpriza duket se ka ardhur në mes të takimit dypalësh, kur Kancelarja Merkel ka lëshuar drejt Johnson një lloj sfide: a mundet brenda 30 ditësh të gjejmë një zgjidhje për “backstop” në kufirit irlandez, në mënyrë që të lehtësojmë rinegocimin e Brexit?
Pas disa javësh tensioni diplomatik me kryeministrin britanik, i cili këmbëngul që Londra do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me ose pa marrëveshje, Angela Merkel tha se “nëse gjejmë një zgjidhje më të mirë për “backstop”, le ta bëjmë në praktikë! Mund ta gjejmë zgjidhjen në dy vitet e ardhshme, por mbase edhe 30 ditë mund të mjaftojnë. Pse jo?”
Johnson u kundërpërgjigj duke thënë se “duhet hequr fillimisht “backstop” dhe pastaj të punojmë për një marrëveshje alternative …
Ka zgjidhje të mundshme me bollëk, për të cilat i kemi diskutuar tashmë.
Për të qenë i sinqertë, nuk besoj se propozimet e bëra nga qeveria britanike në tre vitet e fundit janë marrë në konsideratë dhe tani Evropa thotë se barra e gjetjes së një zgjidhje ende bie mbi ne”.
Hapja e një spirali diplomatik nga ana e Merkel ka dhënë shpresë për një zgjidhje të mundshme.
Ndalesa tjetër në turneun evropian të Johnson është Parisi, ku pritja mund të jetë më pak akomoduese sesa në Berlin.
Në fakt, Presidenti Emmanuel Macron beson se rinegocimi i marrëveshjes së arritur me ish-kryeministrin Theresa May nuk është i mundur dhe “Marrëveshja pa Brexit tani është e pashmangshme”.