Surprizë në merkato, Frenk Riberi kalon në Serie A, firmos dy vjet me Fiorentinën

0
330

Merkato në top-ligat europiane të futbollit po shkon drejt fundit dhe klubet e mëdha po nxitojnë të bëjnë blerjet e tyre të dëshiruara për të mbajtur profil të lartë pretendimi në kampionatet respektive. Padyshim që pas Premier League, kampionati italian Serie A është gjithashtu një prej më të fortëve në botë dhe këtë verë pati spektakël në treg, sidomos Juventusi, që bëri goditje të fuqishme dhe është shfaqur si një prej skuadrave që lakmon të fitojë jo vetëm titullin në Itali, por edhe trofeun Champions League që i mungon prej gati 25 vjetësh. Sigurisht, ekipet e tjera do të përpiqen të rivalizojnë “Zonjën e Vjetër” italiane, ku përfshihen Napoli, Interi dhe padyshim dy skuadrat e kryeqytetit italian, Roma e Lacio. Një tjetër skuadër që këtë vit synon të kthehet në peshën e dikurshme të saj, është Fiorentina. “Vjollcët” italianë kanë bërë një merkato pa shumë zhurmë, por kur merkato po shkon drejt fundit bënë edhe një lëvizje që shkaktoi zhurmë të madhe, pasi emri i futbollistët që blenë ka qenë kandidat për “Topin e Artë”, bëhet fjalë për sulmuesin francez Frenk Riberi, i cili deri disa muaj më parë luante në nivel të lartë tek kampionët e Gjermanisë, Bajerni i Mynihut. Sipas medieve sportive italiane dhe që e mbështesin edhe mediat e tjera sportive në Francë, Frenk Riberi është futbollist i Fiorentinës. Zyrtarizimi i marrëveshjes është çështje orësh, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të gjitha pikat e kontratës. Ajo që para 40 ditësh dukej thjesht një zë merkatoje, tashmë është kthyer në realitet. Kontaktet e para mes drejtuesve të skuadrës vjollcë dhe futbollistit francez nisën që më 13 korrik. Dita-ditës, bisedimet morën formë derisa u gjet akordi për pagën e ish-futbollistit të Bajernit, që dukej shumë e lartë për Fiorentinën. Edhe bashkëshortja e tij, Vahiba, kishte thënë “ok”-in për transferimin në Firenze. Tashmë trajneri Montela ka një armë “vdekjeprurëse” për sulmin e “vjollcave”. Mësohet se Riberi do të nënshkruajë kontratë 2-vjeçare me pagë 4 milionë euro në sezon, plus bonuset, ndërsa prezantimi mund të bëhet që këtë të mërkurë. Duhet thënë se Riberi nuk e ka më atë potencial fizik që kishte për shumë vite tek kampionët e Gjermanisë, por eksperienca, kualiteti, saktësia e veprimeve teknike etj, bëjnë diferencë dhe këto “armë” të tij duket se i ka kuptuar dhe po tenton t’i shfrytëzojë Fiorentina, për t’iu përgjigjur ambicieve që ka klubi për t’u ringritur në lartësinë që të marrë pjesë rregullisht në kupat e Europës. dhe Frenk Riberi i plotëson këto standarde, pasi ka nivel të lartë teknik dhe padyshim energji pozitive karizmatike që mund t’i japin një hov të ri Fiorentinës në edicionin e ri të kampionatit italian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here