Kryeministri italian Giuseppe Conte ka njoftuar dje dorëheqjen e tij në një fjalim sensacional në Senat dhe akuzoi ministrin e Brendshëm Matteo Slavini, të ulur përkrah tij, për krizë të qëllimshme politike në vend. Conte kishte kërkuar një prononcim në Senat pas tërheqjes së mbështetjes për koalicionin nga Salvini dhe hyri në sallë mes duartrokitjeve të senatorëve të partisë së tij Lëvizja 5-Yje, por jo të atyre të Legas së Salvinit. “Kam kërkuar ndërhyrje për krizën qeveritare të nisur nga deklaratat e ministrit të Brendshëm, lideri i një nga dy forcave politike të maxhorancës. Ndërprerja e koalicionit nga Salvini kërkon një debat publik me mbajtje transparente të përgjegjësisë, dhe unë nuk mund të lejoj që kjo temë të konsumohet në rrethe private, në rrjete sociale apo në rrugë. Nisja e krizës nga ministri i brendshëm duket se është bërë për interesa personale apo partiake. Në fund të këtij debati do të kërkoj dorëheqjen te presidenti i republikës”, tha Conte në ndërhyrjen e tij në Senat, ndërsa Salvini në krah të tij nuk dinte nga të shikonte. Conte vazhdoi më tej: “Zgjedhjet e bëra ditët e fundit nga ministri i brendshëm tregojnë ndjeshmëri të dobët institucionale dhe mungesë të theksuar kulture kushtetuese. Ne nuk kemi nevojë për njerëz me pushtete të plota, por që të kenë kulturë kushtetuese dhe ndjenjë përgjegjësie. Krizat e qeverisë, në rendin tonë nuk zgjidhen nëpër sheshe, por në Parlament”.
Akuza pambarim
Në sulmin e tij të paparalajmëruar, mes deputetëve të thirrur nga pushimet posaçërisht për seancën, Conte tha se Salvini po tradhtonte qeverinë dhe akuzonte se donte të përfitonte nga rritja e popullaritetit të tij si ministër i brendshëm. “Vendimet e tij paraqesin rreziqe serioze për këtë vend pasi ka treguar papërgjegjshmëri serioze institucionale, duke treguar mbi të gjitha mungesë respekti ndaj parlamentit dhe përgjegjëse për futjen e vendit në një spirale pasigurie politike dhe paqëndrueshmëria financiare”, tha Cointe, duke shtuar se do ta dorëzojnë dorëheqjen e tij më vonë, duke i hapur rrugën kreut të shtetit që të fillojë konsultimet zyrtare me partitë për të parë nëse mund të formohet një koalicion i ri. Në rast të kundërt, Presidenti Sergio Mattarella do të shpërndante Parlamentin. Zoti Salvini herë pas here tundte kokën, rrotullonte sytë me tallje, ose u tundte kokën senatorëve të Legës, ndërsa kryeministri shpalosi kritikat e ashpra ndaj veprimeve të Salvinit gjatë dy javëve të fundit.
Salvini kërkon të vendosë populli
Ndërkohë, Salvini për të dhënë përgjigjen u ul pranë senatorëve të partisë së tij. Ai hodhi poshtë komentet e zotit Conte, duke thënë se me mocionin e tij të mosbesimit të qeverisë kërkonte zgjedhje të reja dhe votën e qartë të sovranit. Ai tha se partitë e tjera kishin frikë të shkonin në zgjedhje dhe të humbnin postet e tyre. “Qëllimi im është të vazhdoj sfidën ndaj rregullave fiskale të Bashkimit Evropian, të cilat ajnë me faj për varfërimin e vendit. Ne duhet të shpenzojmë të paktën 50 miliardë për të stimuluar ekonominë e dobët. Prandaj nuk pendohem për asgjë. Do ribëj gjithçka me të njëjtën forcë për të qenë njeri i lire…Nuk dua një Itali skllave të askujt”, tha Salvini. Në anën tjetër të zotit Conte ishte ulur Luigi Di Maio, kreu i Partnerit tashmë të padëshiruar të koalicionit tani, Lëvizja 5 Yje, të cilën Salvini e kishte e quajtur ‘obstruksioniste’ gjatë 12 ditëve të kaluara, prej hezitimit ndaj politikave të tij të emigracionit dhe ndaj BE. Zoti Salvini ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, 3-1 / 2 vjet përpara ciklit normal, i bindur se popullariteti i tij në rritje do t’i sigurojë postin e kryeministrit dhe se lëvizja 5 yjet do të kalojë në opozitë.