18 kompani përjashtohen deri në 3 vite nga pjesëmarrja në tendera, ja shkeljet e zbuluara nga APP

0
425

Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar nga tenderat plot 18 kompani. Sipas vendimit të bërë publike nga APP, theksohet se gjatë periudhës 2018-2019 janë rishikuar të gjitha kompanitë, ku rezultuan se 18 të tilla rezultonin me probleme me dokumentacionin. Periudhat e përjashtimit nga procedura e prokurimit publik për kompanitë nis nga një vit deri në tre vjet. Referuar kuadrit ligjor që rregullon pjesën e prokurimeve, arsyet se pse operatorët mund të përjashtohen nga tenderët janë nga më të ndryshmet por më të zakonshmet lidhen me keqinformimin përmes dokumenteve të pasaktë, si dhe mosrespektimi në kohë i detyrimeve kontraktuale. Në shumicën e rasteve sikurse është bërë më herët një vlerësim nga APP në raportin vjetor, operatorët ekonomikë janë përjashtuar për shkak të keqinformimit, nëpërmjet paraqitjes në tender të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme. Po kështu jo të pakta janë rastet kur përjashtimi vjen për shkak se operatori nuk ka arritur të mbyllë punimet apo shërbimet sipas kontratës së nënshkruar me autoritetin kontraktor respektiv. “Në këtë plan u përfshinë procedurat e hapura dhe kërkesë për propozim, për të cilat autoritetet kontraktore përkatëse nuk kanë reaguar/reflektuar ndaj rekomandimeve të APP, në fazën e publikimit të dokumenteve të tenderit. Bazuar në gjetjet e konstatuara nga APP në procedurat e verifikuara, me qëllim ndërgjegjësimin e autoriteteve kontraktore në funksion të mirë-zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik në procedurat që do të zhvillojnë në të ardhmen, APP sjell në vëmendje të të gjithë autoriteteve të mbajnë në konsideratë si vijon: Specifikimet teknike të procedurës së prokurimit duhet të argumentohen dhe të dokumentohen me procesverbal, në përputhje me rregullat e prokurimit publik. Konkretisht, neni 61 i Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar (në vijim “VKM”), parashikon argumentimin e specifikimeve teknike dhe dokumentimin përkatës”, thuhet në raportin e APP.

Kriteret që duhet të plotësohen

Po ashtu, APP ka theksuar në dokumentin e bërë publik edhe kriteret që duhet të plotësojnë shoqëritë kontraktore. Një kriter që duhet të plotësojnë është disponimi i licencash që të përputhen me vlerën e punimeve. “Sa i takon objekteve të prokurimit për punë publike, autoritetet kontraktore duhet të kërkojnë nga ofertuesit të disponojnë kategori licencash, të cilat përputhen me natyrën dhe me vlerën e punimeve objekt kontrate. Autoritetet duhet të mbajnë në konsideratë parashikimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 42, datë 16.01.2008 “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”, i ndryshuar. Në kërkesën e licencave profesionale, autoritetet kontraktore duhet të mbajnë parasysh se, kategoritë e tyre duhet të jenë në përputhje dhe në përpjesëtim me vlerën e punimeve të së njëjtës natyrë dhe jo me vlerën totale të preventivit”, thuhen në listën e APP. Po ashtu, edhe numri i punonjësve është një nga kriteret që duhet të përmbushin shoqëritë kontraktore. “Gjithashtu, në përcaktimin e numrit të punonjësve, të cilët vlerësohen të domosdoshëm për realizimin e kontratës, autoritetet kontraktore duhet të hartojnë analiza teknike, duke u nisur nga “grafiku i punimeve dhe orët e punës që duhen për të realizuar secilin prej zërave të preventivit”, thuhet në listën e APP.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here