Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thënë se përveç kryeministrit Rama edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha duhet t’i thërras mendjes dhe të reflektojë që në muajin gusht për zgjidhjen e ngërçit politik. Në të kundër sipas tij në Shqipëri nuk do të mbetet më askush për t’i votuar dhe do ta penalizojë Shqipërinë për vendimin e negociatave më 18 tetor.
Në një intervistë për emisionin “Kojshia Show” në RTV21, kreu i shtetit shqiptar tha se vendit duhet t’i jepet një zgjedhje, megjithatë Basha vijon të theksojë se për PD nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve e dekretuar nga Meta si 13 tetori, por largimi i Ramës si kryeministër. Por nga ana tjetër forcat e tjera opozitare kanë dalë kundër Bashës prej kohësh, ata kërkojnë që zgjedhjet lokale të organizohen me 13 tetor dhe kusht të vetëm kanë që këto zgjedhje të kryhen edhe me Ramën si kryeministër. Kësaj lëvizje i janë bashkuar edhe kryebashkiakët e djathtë. Nga ana tjetër Partia socialiste vijon normalitetin në bashkitë që fitoi me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.
Gazetari: Udhëheqësit politikë pas posteve. Edi Rama? Lulzim Basha? Kështu po vrapojnë, pas karriges.
Presidenti Meta: Ne duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen e këtyre fëmijëve, dhe sidomos atyre të rinjve, që kundër dëshirës së tyre, duan të vrapojnë për t’u larguar nga Shqipëria për arsye se nuk ndiejnë siguri për të ardhmen e tyre dhe se ky konflikt artificial i ka lodhur kaq shumë dhe ua ka vrarë shpresat.
Ky është shqetësimi, alarmi kryesor që duhet t’i bëjë të gjithë, – duke filluar nga kryeministri i pari, dhe padyshim nga zoti Basha dhe përfaqësuesit e opozitës, të dytët, – për të reflektuar dhe për t’i thirrur mendjes, para se në Shqipëri të mos mbeten më njerëz për t’i votuar ata.
Gazetari: Mendoni se do të ketë trazira?
Presidenti Meta: Shpresoj që në Shqipëri, pas këtyre ditëve të para të gushtit, të ketë reflektim me urgjencë si nga kryeministri Rama, ashtu edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, zoti Basha.
Të punojmë urgjentisht që t’i japim vendit një zgjidhje këto ditë. Të mos presim shtatorin pasi përndryshe do të kemi një dështim të sigurt më 18 tetor dhe një penalizim për vendin tonë, që do të jetë përgjegjësi në radhë të parë e kryeministrit Rama, por së dyti, e kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha dhe e gjithë atyre, të cilët nuk do të tregojnë vullnetin e duhur për një zgjidhje demokratike e gjithëpërfshirëse.
Pa zgjedhje të lira e të drejta, nuk mund të ketë kurrsesi çelje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nuk mund të ndryshohen kriteret e Kopenhagës për kapriçot apo për interesat e caktuara të asnjë udhëheqësi shqiptar apo kujdo tjetër në këtë rajon. Kjo besoj se do të jetë shumë e qartë në ditët që vijnë.