Meta në alarm nga braktisja e 13 tetorit prej SHBA-BE, akuzon ndërkombëtarët se po sillen në mënyrë të njëanshme dhe helmuese

0
304

Presidenti Ilir Meta duket se ka ngelur i vetëm në luftën për të shkuar në zgjedhje në 13 tetor. Duke e ditur që tani kanë kaluar të gjitha afatet, presidenti u është hakërryer ndërkombëtarëve. Meta kishte shpresa se do gjente mbështetje për dekretin e tij, por si SHBA-BE ashtu edhe PD e refuzuan. Presidenti ka reaguar sërish dje për këtë çështje, ku përveç thumbave ndaj Bashës, ka sulmuar edhe ndërkombëtarët. Në një intervistë të dhënë për “A2CNN”, kreu i shtetit vijoi të ashpërsojë më tej gjuhën në drejtim të ambasadorëve në Shqipëri, duke i akuzuar se janë rreshtuar në krah të një partie politike, duke përdorur sipas tij, një gjuhë helmuese. Sipas Metës, ndërhyrja e ndërkombëtarëve nuk po e ndihmon Shqipërinë për integrimin e vendit drejt BE. “Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme, tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut që Shqipëria të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE dhe që duhet ta ndihmojnë Shqipërinë të çelë negociatat me BE”, u shpreh presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit e pranoi që është i vetëm në betejën e 13 tetorit, ku vijon të këmbëngulëse 30 qershori ka qenë një proces farsë. “Për fat të keq, Presidenti, edhe pse është ndjerë i vetëm, ka qenë i qartë dhe i vendosur për t’ia kursyer Shqipërisë një shëmti si farsa e 30 qershorit, që mund të jetë edhe një burim sanksionesh nga organizatat ekzistuese ku Shqipëria bën pjesë”, tha Meta.

Presidenti thumbon Bashën

Por përveç sulmeve në drejtim të ndërkombëtarëve, kreu i shtetit ka thumbuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun demokrat Lulzim Basha, i cili ka refuzuar 13 tetorin duke mos u regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor. “I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për zgjidhjen e krizës për fat të keq është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës. Më vjen shumë keq, si për mazhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend të tregonte përgjegjësi ka bërë të kundërtën. Ashtu sikurse opozita, me listën e dëshirave të pafundme, që shpesh dalin jashtë realitetit, e ka bërë të pamundur përfshirjen në institucione”, u shpreh Meta.

Zgjedhjet e 13 tetorit

Presidenti Ilir Meta komentoi edhe rastin e Valdrin Pjetrit, ku u shpreh se nuk do të dekretojë asnjë datë tjetër për përsëritje të zgjedhjeve vendore, pasi sipas tij, data legjitime për lokalet për gjithë Shqipërinë është në 13 tetor. Kreu i shtetit deklaroi më tej se në bazë të ligjit që ekziston për pushtetin vendor, drejtimin e Bashkisë Shkodër do vijojë ta mbajë kryetarja aktuale, Voltana Ademi, deri në zgjedhjen e një kryetari të ri. “Nuk ka nevojë, zgjedhjet janë më13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”, tha Meta. Gazeta paralajmëroi pak ditë më parë se Bashkia Shkodër do të kthehej në “mollë sherri” mes qeverisë dhe presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit nuk do të dekretonte një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve në Shkodër, fakt ky i pohuar nga vetë kreu i shtetit ditën e djeshme.

Hetim për Valdrin Pjetrin

Presidenti Meta duke iu referuar ligjit të dekriminalizimit u shpreh më tej se problemi nuk është tek një individ i vetëm, duke shtuar se duhet një hetim i thelluar mbi funksionimin e institucioneve shqiptare. Kreu i shtetit deklaroi se kandidati socialist Valdrin Pjetri ka qenë i pajisur me certifikatë sigurie të nivelit të lartë, gjë që sipas tij duhet të ishte kryer një hetim shumë i thelluar. “Problemi nuk është i personit në fjalë, sepse ai edhe pse ka bërë një shkelje të ligjit ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Policinë Italiane në rastin konkret. Problemi është kapja e institucioneve që nuk kanë bërë punën e tyre, për të verifikuar shkeljen e ligjit në rastin në fjalë. Fakti që personi ka pasur edhe detyra të mëparshme dhe certifikata të sigurisë të nivelit të lartë, për shkak të detyrave, tregon se duhet të bëhet një hetim me i thelluar për funksionimin e institucioneve të pavarura të shtetit që verifikojnë integritetin e të gjithë zyrtarëve tanë”, u shpreh presidenti Ilir Meta./Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here