Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë po kundërshtojnë me forcë projektin e qeverisë për shpifjen.
Kritikat kryesore lidhen me atributet e reja të Autoritetit të Mediave Audiovizive, që merr rolin e gjykatës. Ndryshimet e propozuara nga qeveria parashikojnë që mediat online në rast shkelje mund t’i drejtohen gjykatës, vetëm pasi të kenë paguar gjobën e vendosur nga Këshilli i Ankesave në AMA. Sipas “Zërit të Amerikës”, për portalet me burime të kufizuara financiare kjo do të thotë mbyllje e tyre pasi edhe ankimimi në gjykatë, për një vendim në favor të tyre, është një rrugë e gjatë, nisur nga mbingarkesa e Gjykatave Administrative. Autoritetet thonë se drafti për shpifjen synon të rregullojë hapësirën online, dhe se gjatë diskutimeve në komisione parlamentare në vjeshtë ai mund të përmirësohet. “Kjo vjen edhe si tendencë ndërkombëtare. Përgjithësisht hapësira online po konsumon shumë nga jeta e qytetarëve dhe është e rëndësishme që siç ata mbrohen në jetën e përditshme të mbrohen dhe nga hapësira online”, tha Fjoralba Caka, zv ministre e Drejtësisë për “VOA”. Qeveria ka hartuar disa variante të draftit anti-shpifje dhe në asnjë rast nuk ka marrë miratimin final të komunitetit të gazetarëve të BE, dhe OSBE. Edhe variant i ripunuar i saj që është dërguar në Kuvend ka ngjallur sërish shqetësime. OSBE shprehu rezerva që projektligji i jep rolin e gjykatave agjencive rregulluese AMA dhe AKEP. “Projektligji u jep shumë kompetenca agjencive rregulluese AMA dhe AKEP, që janë mbikëqyrës të sistemit të transmetimeve. Ato nuk duhet të marrin rolin e gjykatësit për rastet e shpifjes për shembull, ose për raste të tjera që u takojnë gjykatave t’i zgjidhin”, u shpreh për “Zërin e Amerikës” Harlem Desir, përfaqësues i OSBE për lirinë e shtypit.