Duket se Partia Demokratike ka vendosur të mos bëj asnjë fije rezistencë, duke i lëshuar bashkitë një e nga një në dorën e Partisë Socialiste. Lezha prej vitesh është një ndër bastionet e PD-së dhe ditën e djeshme i ka kaluar paqësisht Partisë Socialiste. Ditën e djeshme Pjerin Ndreu është bërë zyrtarisht kryebashkiaku i ri i Lezhës. Betimi i tij u mbajt në bibliotekën e qytetit të Lezhës, ditën e djeshme, ku ishin të pranishëm kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut Telat Xhaferi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj si dhe deputetë socialistë.“Bashkia e Lezhës do të jetë shembull i zgjidhjes së problemeve, i ndershmërisë, komunikimit. Ne do ta kthejmë bashkinë në një model suksesi, i cili do të jete i prekshëm nga të gjitha zonat në Lezhë. Është një përgjegjësi shumë e madhe. Përveçse është një sfidë, është edhe një peshë e madhe që duhet ta mbajmë. Njerëzit presin shumë nga ne. Ju jap fjalën se do të mëshirojmë mënyrën e të sjellit që ka komuniteti lezhjan”, është shprehur Ndreu.Pas përfundimit të ceremonisë, ai u nis drejt zyrës, e cila është lënë me derë hapur, pasi Fran Frrokaj u shpreh se do ia lironte zyrën paqësisht Ndreut. Kujtojmë se Bashkia e Lezhës nuk është i vetmi bastion i PD-së që po kalon në duart e PS-së. Sipas demokratëve kjo lëvizje nga ana e tyre po bëhet pasi ata nuk i njohin zgjedhjet e 30 qershorit dhe i konsiderojnë fasadë ato, siç e ka theksuar edhe Frrokaj.“Nuk do ta pres në zyrë, se këto nuk ishin votime, ishte proces farsë jo i moralshëm. Në kushte të tjera normalisht që do ta bëja. Ndërsa për sa i përket protestave, nuk kam ndërmend të bëj protesta. Edhe më herët kam deklaruar se jam munduar të jem kryetar si i majtë dhe i djathtë. Plus le të themi se jokorrekt janë të majtët, por ata kanë qenë së paku një herë këtu. Kam 16 vite që nuk i baltos dhe nuk kam ndërmend të nxis turma të ekzaltuar kundër këtij apo atij. Unë do t’i uroj mbarëvajtje bashkisë. Sa i përket PD është një çështje tjetër. Nuk jam kryetar i partisë. Shqipëria nuk e meriton këtë situatë. Kam qenë një nga studentët e dhjetorit. Vendi ynë do të jetë ndryshe. Jemi si në diktaturë. Besoj tek lideri im. Do të jap dorëheqjen nëse do humbisja besimin tek lideri. Shumica po presin një plan ‘B’ tek Basha, por unë mendoj që mund të jetë ky njëplan B pasi ka një plan A, kjo nuk është braktisje”, ka deklaruar ditë më parë Frrokaj.