Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me djegien e anijes turistike në Karaburun, duke thënë se u ka ardhur në ndihmë 5 personave të cilët ishin në bordin e anijes dhe për disa çaste jeta e tyre u vu në rrezik.
Policia ka sqaruar se mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje.
Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e 5 punonjësve të anijes.
Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese shkoi në ndihmë të 5 personave, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e tyre.
Më pas policia bën me dije se 5 punonjësit e anijes nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht.
Ndërkohë grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Ditën e djeshme nuk është dhënë leje për anijet që të dalin në det për shkak të motit. Deti i trazuar dhe dallgët e mëdha kanë bërë që anija ‘Aqua Marine’ të ankorohej në Karaburun që ditën e djeshme.