Politika në panik, tjetër kandidat i SPAK rezulton i pastër në veting, shkojnë në 9 emrat që do marrin në dorë luftën antikorrupsion

0
419

Struktura e Posaçme Antikorrupsion është më pranë se kurrë. Pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë kualifikoi 15 prokurorë kandidatë si anëtarë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Nga të 15-të, tetë prej tyre e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut. Por pritet që ky numër të shkojë në nëntë ditën e sotme. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet që paraditen e sotme të konfirmojë në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Klodian Braho. Ai u përball dje me trupën gjykuese, por seanca për të ishte pa probleme. I vetmi problem që u konstatua nga trupa gjykuese ishte një hua e padokumentuar prej 5 mijë eurosh që Braho kishte marrë nga babai i tij në vitin 2010 për të blerë një apartament në Yzberisht. Sipas KPK, Klodian Braho, që është edhe pjesë e listës së prokurorëve të kualifikuar nga KLP për në SPAK, për blerjen e apartamentit ka deklaruar edhe një kredi bankare prej 2.8 milionë lekësh. Për këtë të fundit nuk janë gjetur probleme, por Brahos iu kërkua llogari në seancë për mos-justifikimin e huasë së marrë nga i ati. Prokurori Braho shpjegoi në fjalën e tij se babai i tij, i vetëpunësuar në bujqësi i kishte mundësitë për të krijuar shumën e 5 mijë eurove. Ai kontestoi vlerësimin e të ardhurave të babait nga KPK me referencën më të ulët. Në vijim, trupa gjykuese shtoi se Klodian Braho ka depozituar shpjegime shtesë që do të merren në shqyrtim.

Profesionalizmi dhe figura e Brahos

KPK nuk gjeti probleme për Brahon as për kriterin e figurës dhe as për atë të profesionalizmit. Prandaj të gjitha gjasat janë që sot ai të konfirmohet në detyrë. Një vendim i tillë do të thotë se Klodian Braho bëhet automatikisht anëtar i SPAK, nëse vendimi për të nuk ankimohet nga Komisioneri Publik. Në këtë mënyrë, shkon në nëntë numri i prokurorëve të kualifikuar nga KLP që kanë kaluar sfidën e vetingut dhe që janë gati të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion. Tetë prokurorët e tjerë që janë kualifikuar nga KLP dhe janë konfirmuar edhe nga KPK janë: Arben Kraja, Manjola Kajana, Enkelejda Millonai, Ened Nakuçi, Edvin Kondili, Besnik Muçi, Behar Dibra dhe Elida Kaçini. Nga këta, deri tani është ankimuar vendimi i KPK nga Komisioneri Publik vetëm për Besnik Muçin. Për këtë të fundit Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të vendosë në shtator sepse në datën 3 do të mbahet edhe seanca e parë gjyqësore. Ndërkohë, në pritje të vetingut janë akoma Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu , Ndini Tavani dhe Anita Jella.

Politika në panik

Afrimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ka futur në panik politikën. Kjo strukturë e re po ngrihet me qëllim që të shfarosë korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel politikanësh. Prokuroria e Posaçme do të ketë të drejtë të hetojë presidentin, ish-presidentët, kryeministrin, ish-kryeministrat, ministrat, ish-ministrat, deputetët e ish-deputetët apo çdo zyrtar tjetër të lartë. Çdo emër i lakuar për afera korrupsioni do të kalojë në sitën e SPAK dhe gjasat janë që ata nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar. Kjo për vetë faktin se SPAK do të asistohet nga ndërkombëtarët. Tetë prokurorët që janë konfirmuar nga KPK do të trajnohen nga FBI, çka do të thotë se ata do të jenë gati së shpejti që të marrin frenat e luftës antikorrupsion në duar dhe të godasin çdo zyrtar të korruptuar. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here