Sezoni artistik në teatrin “Migjeni”, hapet konkurs për projektet

0
434

Projektet teatrore, që duhet të vihen në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër gjatë këtij viti përfshijnë dramë, shfaqje për fëmijë dhe teatër kukullash. Bashkia Shkodër bën me dije se ka shpallur konkurs për autorë dhe regjisorë, për vënie në skenë të projekteve te vitit 2019, në teatrin “Migjeni”. ““Bashkia Shkodër kërkon të identifikojë projekte të vlefshme për zhanret dramë, shfaqje për fëmijë dhe teatër kukullash, në mënyrë që të përgatitet për vënien e tyre në skenë në 6 mujorin e dytë të vitit buxhetor 2019”, thuhet në materialin e publikuar nga teatri “Migjeni”. Gjatë sezonit artistik, që u mbyll në skenën e këtij teatri janë vënë shfaqje të ndryshme teatrore, që kanë angazhuar regjisorë të njohur shqiptarë, por dhe të huaj. Shfaqja “Kumarxhiu” në muajin qershor është premiera më e fundit në skenën e teatrit “Migjeni”, në qytetin e Shkodrës. Shkruar nga Carlo Goldon, përshtatja dhe regjia për në skenë ishin nga Michele Modesto Casarin. Për shfaqjen që erdhi në skenë mbrëmjen e 3 qershorit maskat u punuan nga mjeshtri Stefano Peroçco di Meduna. Vepra është shqipëruar nga Zija Vukaj, kostumet dhe skenografia nga Adnan Kastrati. Shfaqja premierë erdhi me interpretimin e Simon Shkrelit (Pantalone, Meniko), Linda Jarani (Rozaura), Indri Qyteza-Shiroka (Florindo), Fritz Selmani (Beatriçe), Vladimir Doda (Lelio), Jozef Shiroka (Tiburcio), Merita Smaja (Gandolfa), Zyliha Miloti “Mjeshtre e Madhe” (Kolumbina), Pjerin Vlashi (Brigela). “Kumarxhiu” tregon për Florindon, kumarxhiun, i rrëmbyer nga vesi i kumarit. Ai bie në duart e Tiburcit një mashtruesi profesionist. Tek bixhozi gjen shkatërrimin e tij, humb të fejuarën Rozaurën, të dashurën Beatriçe, vetëm ndërhyrja e plakut Pantalone, që shtrëngon Lelion, ortakun e Tiburcit, ti kthej një pjesë të parave të fituara me mashtrim, që e do Florindon të shpëtoj nga rreziku i martesës me Gandolfën. “Kumarxhiu” (Venecia 1750) është një nga komeditë e Carlo Goldoni-t që është lënë pas dore, gabimisht, pasi edhe sot mbart një aktualitet tronditës, me një tekst të rradhë, por pak e vlerësuar në traditën teatrore italiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here