Gent Sejko dështim total në krye të BSH, bie sërish kreditimi, guvernatori mashtron hapur qytetarët për performancën e bankave

0
375

Gent Sejko do të mbahet mend si guvernatori më i dështuar në historinë e demokracisë shqiptare. Por duket se vetes i ka shtuar një tjetër rekord, atë të mashtrimeve. Që kur ai mori mandatin e Fullanit, ekonomia dhe sistemi bankar po shkojnë në zgrip. Por çfarë ka ndodhur realisht? Dje Sejko zhvilloi një takim me anëtarët e Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Silvio Pedrazzi. Ky takim u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm mes Bankës së Shqipërisë dhe aktorëve të sektorit bankar, mbi çështje që lidhen me aktivitetin dhe rolin e tij në ekonomi. “Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet kryesore ekonomike në vend në gjysmën e parë të vitit, dhe veçanërisht në ecurinë e sektorit bankar, ku theksoi se të dhënat e fundit tregojnë një përmirësim të aktivitetit të këtij sektori në drejtim të kredidhënies, si dhe në uljen e kredive me probleme”, njoftoi Banka e Shqipërisë. Pra, Sejko deklaroi se ka pasur rritje të kredidhënies dhe ulje të kredive të këqija. Por shifrat e nxjerra po nga Banka e Shqipërisë tregojnë krejt të kundërtën. Duhet t’i besojmë Gent Sejkos apo Bankës së Shqipërisë si institucion. Si për ironi, dje Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin më të fundit të kredisë. Në përgjigjet e tyre për vrojtimin e aktivitetit kreditues në 3-mujorin e dytë, bankat tregtare raportuan kërkesë në rënie në këtë segment të tregut. Kërkesë më e ulët se një tremujor më parë u raportua për kreditë e marra me qëllim investimi, ndërkohë që për ato të përdorura në financimin e nevojave për likuiditet, kërkesa u perceptua më e lartë. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të mëdha. Bankat perceptuan se kërkesa më e ulët për kredi erdhi nga nevojat më të ulëta për financimin e investimeve dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese. Por Sejko ka dalë blof dhe sa i takon kredive të këqija. Po sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ka pasur një përkeqësim të aftësisë paguese në katër muajt e parë të këtij viti. Në këtë mënyrë niveli i huave me probleme ka arritur në 11,46 % të totalit. Pra, duket qarët që Sejko del blof dhe me shifrat që i publikon po Banka e Shqipërisë.

Premtimet e Sejkos

Sipas njoftimit të BSH, në takimin me Shoqatën e Bankave, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për hartimin e një plani konkret masash, që synon përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit. Guvernatori Sejko u shpreh se kreditimi është një proces me rëndësi të ndërsjellët për të gjitha palët, ku një përqasje sa më aktive ndaj tij do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, jo vetëm për industrinë bankare, por dhe për ekonominë e vendit. Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi rëndësinë e vënies në jetë të një plani masash, synimi i të cilit është të rigjallërojë procesin e kreditimit të shëndetshëm në vend. Sipas BSH, ky plan masash i hartuar tashmë nga Banka e Shqipërisë iu është dërguar për konsultim bankave tregtare në vend. Përfaqësuesit e SHSHB-së, nga ana e tyre, mbështetën hartimin dhe zbatimin e këtij plani, i cili do të shërbejë si një platformë ku të gjithë aktorët e tregut pritet të japin kontributin e tyre për të nxitur procesin e kreditimit.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here