Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi dhe njëherë sot se më 30 qershor nuk janë zhvilluar zgjedhje në Shqipëri. Ai pati një reagim të ashpër dhe për ndërkombëtarët që e kanë mbështetur këtë proces.
Gazetarët i kërkuan një koment për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Durrësit e cila nuk njohu mandatin e kandidates së PS, Valbona Sako. Meta tha se “çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është demonstrim i rrëmujëhanës që zhvillohet në vend. Mungesë e respektit për Kushtetutën, keqzbatimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që u realizuan tri vite më parë.
Me një qarkore u shpall inegzistent dekreti i Presidenti dhe u mblodh organizata socialiste në KQZ dhe u bë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor… u bë rrëzimi i kërkesës së zotit Idajet Beqiri, si rrëzimi i dekretit të Presidentit.
Por siguroj shqiptarët që nuk ka patur zgjedhje të qytetareve, as zgjedhje kushtetuese në 30 qershor.
Çdo ndërkombëtar që thotë që gomari fluturon, kjo mund të ndodhë në art dhe pikturë, por në Shqipëri e dimë që gomari nuk fluturon. Të gjitha këto manovra, përpjekje, manipulime, përfshirë edhe qoka ndërkombëtare, janë kundër standardeve për zgjedhje të lira që janë standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare, vetëm me standarde. Këtë Edi, unë dhe Luli e dimë shumë mirë. Duan ta zgjidhin diku tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë ta zgjidhin këtë dhe unë i hap garanci për mbështetje”.








































