SHBA shuplakë të fortë Metës, Berishës e Kryemadhit: Reforma në drejtësi model për rajonin, nuk mund të jetë subjekt i kompromiseve

0
368

Shtetet Bashkuara të Amerikës u kanë dhënë dje një goditje të fortë të gjitha armiqve të reformës në drejtësi. Teksa presidenti Ilir Meta, LSI dhe ish-kryeministri Sali Berisha akuzojnë qeverinë se ka kapur procesin, dje ka ardhur një reagim tepër i fortë nga përtej Atlantikut. Ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe të Azisë, z. Philip Reeker. Cakaj ka bërë të ditur se në bisedë është folur dhe për reformën në drejtësi. Për zotin Reeker, kjo reformë është shembull në rajon dhe nuk mund të ketë pazare. “Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i SHBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, ShBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, ka bërë të ditur Cakaj. Mesazhi që ka dhënë zyrtari i DASH duket se shkon për presidentin, Monika Kryemadhin dhe Berishën, pasi janë të vetmit që sulmojnë reformën ndërkohë, Basha është më i tërhequr në këtë aspekt. Reagimi i Reeker erdhi disa orë pas sulmeve të Metës ndaj gjithë procesit. Kjo tregon qartë se për amerikanët reforma nuk negociohet dhe kushdo që e sulmon do mbajë përgjegjësi.

Sulmet e Metës

Edhe pse për ndërkombëtarët reforma në drejtësi është e pakthyeshme, presidenti Ilir Meta vijon shantazhet dhe presionet ndaj mazhorancës. Pas disa ditësh tërheqje, Presidenti Meta ka rifilluar ditën e djeshme “serialin” e publikimit të skandaleve me reformën në drejtësi. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kreu i shtetit akuzoi kryeministrin Edi Rama se bllokoi qëllimisht ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas hedhjes për herë të parë të shortit në janar të 2017, Meta thotë se Rama doli publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së dhe i kërcënoi. “Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk kundërshtoi rezultatet e shortit të hedhur për zgjedhjen e KED. Fakt është se ky Këshill, nuk u mblodh asnjëherë dhe mandati i tij përfundoi më datë 31.12.2017, pa kryer asnjë mbledhje të vetme. Nëse dikush nuk e di pse-në e kësaj gjendje, po e sqarojmë. Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së. Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me veting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, deklaroi ai. Por duket se me të tilla publikime Meta po shantazhon dhe po mban nën presion mazhorancën sa i takon shkarkimit të tij.

Akuza ndërkombëtarëve

Sulmeve të Presidentit Ilir Meta sa i takon reformës në drejtësi nuk i kanë shpëtuar as ndërkombëtarët, sidomos misioni EURALIUS, i cili financohet me fondet e Bashkimit Europian. Në statusin e tij, Meta akuzoi misionin EURALIUS se braktisi qëllimisht tryezën e thirrur nga ai, në mënyrë që të bllokohej reforma në drejtësi, për të cilin sipas tij, Rama ishte i interesuar. “Presidenti i Republikës mori të gjitha garancitë prej Zj.Vlahutin dhe misionit EURALIUS 4, se ky mision do të asistonte në zhvillimin e një tryeze konsultative në datat 9 – 10 nëntor 2017 me prezencën e gjithë aktorëve të interesuar. Në këtë tryezë u parashikua të merrnin pjesë institucionet si, Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, drejtues të Misionit EURALIUS, përfaqësues të misioneve OPDAT, USAID, ONM, përfaqësues nga BE në Shqipëri. Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse. Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit”, u shpreh ai.

RigelsSeliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here