Lufta ndaj korrupsionit do të jetë në dorë të prokurorëve që kanë pasur dosje shumë të rëndësishme në duart e tyre. Dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbylli listën me 15 kandidatë finalë për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa emrat përfundimtarë do të vendosen pas vetingut. Por gazeta ka siguruar emrat e kandidatëve që e kanë të sigurt kalimin në SPAK dhe lufta ndaj bandave dhe pushtetarëve të korruptuar do jetë në duart e tyre. Dje në mbledhjen e KLP u deklarua se do të pritet vetingu si në shkallën e parë ashtu dhe në Apel për të 15 emrat dhe më pas do bëhet emërimi për këdo që kalon me sukses të dyja fazat. Deri më tani, nga 15 emrat në fjalë, 8 prej tyre kanë hyrë në veting. Më konkretisht Arben Kraja, Manjola Kajana, Enkelejda Millonai, Ened Nakuçi, Edvin Kondili, Besnik Muçi, Behar Dibra dhe Elida Kaçini. Kjo e fundit ishte dje në seancë dëgjimore dhe rezultoi e pastër, e me shumë gjasë do rikonfirmohet në detyrë. 8 emrat e tjerë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe i vetmi që është ankimuar në Kolegjin e Apelimit është Besnik Muçi, ndërsa për 6 të tjerë nuk ka ankimim, të paktën deri tani. Kjo do të thotë se Arben Kraja, Manjola Kajana, Enkelejda Millonai, Ened Nakuçi, Edvin Kondili dhe Behar Dibra e kanë të sigurt kalimin te Prokurori e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Me gjasë pjesë e kësaj liste do jetë dhe Kaçini, duke e çuar në 7 numrin. I vetmi që do pritet është Besnik Muçi, ndaj të cilit ka pasur rezerva nga komisioneri publik, pasi ka kërkuar që të shkarkohet nga detyra. Ndërkohë, emrat e tjerë nuk kanë hyrë ende në veting dhe ata do të duan ndoshta më shumë kohë që të emërohen. Por gazet ka mësuar se nëse KPK nuk ecën me ritme shumë të shpejta gjatë verës, mund të përzgjidhen disa prej emrave të parë dhe nëse kjo ndodh, 6 të mësipërmit do jenë ata që do marrin në dorë të parët frenat e luftës antikorrupsion.
Dosjet që kanë hetuar
Por kush janë 6 prokurorët që me gjasë do jenë të parët që do kalojnë te SPAK? Arben Kraja është një prokuror me shumë përvoja dhe që ka hetuar dosje korrupsioni dhe krimi. Një ndër dosjet e famshme të tij është ajo kundër Lulzim Bashës për rrugën “Durrës-Kukës”. Prokurori gjeti elementë të veprës penale, por ishte gjykata që e shpëtoi Bashën duke e mbyllur çështjen me procedurë. Një tjetër emër është Manjola Kajana. Ajo ka nën hetim dosjen e famshme 339 ndërsa po ashtu hetoi akuzat e Tom Doshit ndaj Ilir Metës, ku e akuzonte se donte ta eliminonte fizikisht. Në fund dosja vajti në gjykatë. Ened Nakuçi është prokurori që ka hetuar kryesisht bandat kriminale. Ai ka pasur në dorë dosjen ndaj Emiliano Shullazit, si dhe ka hetuar Klement Balilin. Edvin Kondili është një tjetër emër që ka hetuar Bandën e Durrësit, kokainën e kapur në Maminas apo tritolin te farmacia e babait të ish-ministrit Saimir Tahiri. Behar Dibra ka në dorë dosjen ndaj Suel Çelës, të akuzuarit kryesor për përplasjen me armë me policinë në Elbasan. Pra bëhet fjalë për emra që më së shumti janë fokusuar te dosjet e bandave dhe grupeve kriminale, por që gjatë intervistave që kanë dhënë te KLP, kanë deklaruar s n uk do të tolerojnë asnjë person të përfshirë në afera korrupsioni. Mbetet të shihet se si do ecë vetingu për emrat e tjerë, por deri më tani për 6 kandidatët nuk ka ankimim në Apel dhe ata e kanë të sigurt kalimin në SPAK.
Kliti Topalli







































