Ditën e djeshme në Gjykatën për Krime të Rënda është mbajtur seanca gjyqësore ndaj 4 të akuzuarve për ngjarjen e Elbasanit, ku përballë tregut agro-ushqimor u përplas makina e Policisë. Në seancën e djeshme togat e zeza të Krimeve të Rënda dëgjuan provat shkresore për ngjarjen në fjalë. Duke iu referuar relatimit të prokurorit, duket se dy provat më të forta të Krimeve të Rënda për identifikimin e autorëve, janë shenjat e gishtave të gjetura në krahun e pasagjerit në makinën “Audi” dhe një cigare puro, ku është përfituar material biologjik. Sipas prokurorisë, shenjat e gishtave, një i gishtit të mesit dhe një tjetër i unazës janë të Enea Bekteshit, ndërsa në cigaren puro, është përfituar material biologjik i përputhshëm me atë të Suel Çelës, i shpallur tashmë në kërkim për këtë ngjarje. Gjatë seancës, gjykata pa edhe videon, ku dukej momenti i përplasjes se “Audit” me makinën e drejtorit të Policisë së Elbasanit në atë kohë, Gjergji Oshafi. Duke komentuar videon, avokatët e të pandehurve pretenduan se qëllimi i drejtuesit të “Audit”, nuk ishte policia dhe se nuk ka pas një përplasje, por fërkim të dy makinave, në kushtet kur makina e policisë ikën indietro. Ndërkohë, prokurori i çështjes, lexoi një sërë provash të tjera, ndërsa seanca u shty në datën 22 korrik për të parë dy video të tjera. Sipas këqyrjes së vendit të ngjarjes, sipas Prokurorisë janë gjetur 2 gëzhoja arme dhe një pjesë plastike e shkëputur nga mjeti i Policisë. Ndërkohë brenda ambienteve të tregut janë gjetur disa radiomarrës. Si prova për vërtetimin e akuzave të ngritura, prokurori i dosjes, ka paraqitur edhe raportet për këqyrjen e banesës së të pandehurit Enea Bekteshi, ku janë gjetur sende të paligjshme. Gjithashtu, është gjetur dhe një DVR, kjo pajisje sipas Akuzës, përdorej për ruajtjen e pamjeve të kamerave të sigurisë. Edhe një tjerë DVR është gjetur gjatë arrestimit të Klement Xhaferrit, të dyja i janë nën shtruar akt ekspertimeve kompjuterike. Prokuroria ka bërë këqyrjen e kamerave në tunelin e Kërrabës, për verifikimin e ngjarjes të denoncuar fillimisht si një kërcënim dhe pamje në Aeroportin e Rinasit për të vërtetuar udhëtimin e vëllait të Sule Çelës dhe shoqërimin e tij në aeroport nga Klement Xhaferi dhe Enea Bekteshi.
Dosja
Referuar kërkesës për gjykim, çështja është regjistruar në 2017-ën dhe i referohet ngjarjes së 18 shtatorit. Mesditën e kësaj date, patrullat e policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas, se në tunelin e Kërrabës, 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë, ndërsa në një prej makinave, një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë. Këtë situatë, ky shtetas e kishte marrë si kanosje. Gjatë kontrolleve të kryera, përpara tregut ushqimor, policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi. Policia i ka bërë me shenjë që të ndalonin dhe personave brenda, që të dilnin. Njëri prej këtyre personave ka dalë dhe ka shkuar në drejtim të rojës së tregut për t’i dhënë diçka, veprim të cilin, policia ia kishte ndaluar. Si pasagjerë në këtë automjet, ka qenë Endri Çopja dhe një person tjetër që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici. Gjatë kësaj kohë, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta policie dhe pas disa minutash, vërehet një makinë tip “Audi”, që bënë manovra. Nga kamerat e sigurisë, shihet që makina “Audi” bënë tentativë për tu futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative, prek makinën e policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje. Ndërkohë, policët e pranishëm aty, nga pamjet duken që vetëm qëllojnë në ajër. Ndërkohë, pavarësisht kërkesave për të hapur derën e tregut, ajo është hapur me vonesë dhe vetëm pasi ka marrë dijeni shtetasi P.Ç., pronar i tij, i cili ka urdhëruar hapjen e portës. Vendi është rrethuar nga forca policia të Ndërhyrjes së Shpejt dhe është bërë ndërhyrja dhe sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty. Ndërkohë, sipas prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj(Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e policisë. Më tej, Enea Bekteshi akuzohet edhe për trafikim narkotikësh, pasi gjatë arrestimit i është gjetur një sasi lënde narkotike.