Socialistët duket se kanë filluar të tërhiqen nga shkarkimi i Ilir Metës. Edhe pse në korridoret politike trumbetohej se gjithçka do mbyllej brenda korrikut, mazhoranca ka bërë dje një lëvizje befasuese, duke hedhur në kalendat greke shkarkimin e Ilir Metës. Dje u mblodh komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit, ku u vendos që t’i kërkohet një opinion Komisionit të Venecias nëse kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës ose jo. Por me këtë lëvizje duket se socialistët po zvarrisin qëllimisht shkarkimin e Metës. Seanca e radhës plenare e Komisionit të Venecias është në 8 tetor, ndërsa seanca tjetër në 11 dhjetor. Pra me gjasa deri në tetor Venecia mund të mos kthejë një përgjigje, çka do të thotë se shkarkimi i Metës mund të zgjasë shumë, për të mos përmendur faktin se nëse Venecia kthen përgjigje negative atëherë mbyllet çdo gjë. Ndërkohë PS e di që në fund do vendosë Kushtetuesja dhe mund t’ia linte kësaj të vendoste nëse ka nevojë për ndërhyrjen e Venecias ose jo. Dyshimet janë se e gjithë kjo procedurë bëhet për pazare. Fakti që po shtyhet në kohë shkarkimi i presidentit, të bën të dyshosh se PS dhe Meta po “gatuajnë” diçka në prapavijë. “Në traditën e Parlamentit është që për çështje specifike të natyrës kushtetuese shpeshherë kam marrë mendime të specializuara jo vetëm nga ekspertët vendas, por edhe nga institucione të specializuara, siç është Komisioni i Venecias. Unë do të thosha që ky është rasti për ti drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion për sa kohë shumë çështje i referohen faktit të sjelljes nga ana e presidentit në mënyrë arbitrare. Këto janë çështje në fokus të komisionit të Venecias, i cili do ta ndihmoj shumë komisionin tonë për një përfundim sa më të saktë dhe sa më të plotë të punës së tij”, tha deputetja e PS Klotilda Bushka, e cila propozoi Komisionin e Venecias.
Shtyrja e komisionit hetimor
Por ai që i ka vënë kapak çdo gjëje, është kreu i komisionit hetimor Ulsi Manja. Ai u shpreh se nëse nuk do të vijë përgjigje deri në 8 tetor, atëherë do të zgjatet afati i hetimit për presidentin, duke e justifikuar këtë gjë edhe me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. “Nëse nuk përmbyllet ky komision brenda afatit të përcaktuar, 3 mujor do i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë të shtyhet afati. Varet dhe nga ngritja e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Ulsi Manja.
Ekspertët vendas dhe të huaj për hetimin e Metës
Por nga ana e socialistëve u kërkua gjithashtu edhe vëzhgues ndërkombëtar në procesin hetimor ndaj kreut të shtetit. Ishte propozimi i deputetit të PS Bashkim Fino, ai i cili kërkoi në komisionin hetimor që të thirren edhe ekspert ndërkombëtar krahas atyre vendas. “Duhet të kemi parasysh që është plan paraprak hetimi, po i hapim dritën jeshile si komision për të fituar hetimin. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi të drejtë që të bëjmë sugjerime. Mos të fokusohemi thjeshtë te kjo. Mendoj dhe shikoj se nuk parashikohet përcaktimi i ekspertëve. Në rregullore parashikohet eksperti vendas apo i huaj. Kjo duhet të jetë pjesë e planit paraprak të hetimit. Të caktohen ekspertë vendas apo të huaj nëse na duhen. Me ndihmën e ekspertëve do ishte mirë ta përcaktonim në planin paraprak”, tha Fino. Në sinkron me deputetin socialist ishte dhe deputeti i opozitës Alban Zeneli.
Elisjeda Kiko