Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi se me përzgjedhjen e 15 kandidatëve për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, tashmë ngritja e këtij institucioni varet nga organet e vetting-ut.
I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha nëse SPAK mund të ngrihet në muajin shtator ose tetor, Ibrahimi tha: “Në këtë moment nuk është në dorën tonë caktimi i një kalendari, është në dorën e institucionve të vetting-ut. E mira është të përkojë me kalendarin e integrimit që kërkon që deri në mes të tetorit t’i kemi institucionet e ngritura.”
Ibrahimi nuk preferoi të jepte një ‘numër të arsyeshëm’ sa i përket prokurorëve që duhet të bëhen pjesë e SPAK që kjo strukturë të konsiderohet funksionale.
“Kjo është çështje që nuk do doja të shprehem sepse i takon Këshillit të shprehet se cili është numri. Normalisht, një numër që e lejon përballimin e fluksit”, tha kreu i KLP-së.








































