Ai ishte deri pak javë më parë një lojtar aktiv, me reputacion dhe kontribut në fushë, madje edhe pse në moshë madhore mjaft i kërkuar në merkato. Por gjërat ndryshuan shpejt si pasojë e një parainfarkti, i cili edhe pse nuk rezultoi fatal, duke i dhënë mundësinë të jetojë, e kushtëzoi sidoqoftë për vazhdimësinë, duke e detyruar të tërhiqet nga fushat e blerta. Kështu, portieri legjendar spanjoll, me një karrierë brilante kryesisht me Realin e Madridit dhe kombëtaren spanjolle, Iker Kasijas, tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur, por jo nga ai i zyrave. Ish-portieri i Realit të Madridit dhe i Spanjës, aktualisht pjesë e Portos, do të jetë pjesë e stafit të klubit portugez, ose më saktë do të operojë si lidhje mes lojtarëve, trajnerit dhe bordit drejtues. Porto gjithashtu ia ka lënë të hapur mundësinë që në një të ardhme të afërt, pasi të kalojë me sukses të gjithë fazën e shërimit pas sulmit në zemër që pësoi në fillim të majit, të marrë detyra të tjera drejtuese. Kasijas, 38-vjeç, deri ka luajtur në 156 ndeshje me Porton, që kur u shkëput nga Reali i Madridit në vitin 2015. Në 74 ndeshje portieri spanjoll e ka mbajtur portën të paprekur. Ai dha ndihmesën e tij që Porto të fitonte kampionatin portugez në sezonin 2017-18 dhe Superkupën e Portugalisë në 2018-ën. Sezoni i ri nis me shumë ndryshime në radhët e “dragonjve”. Janë larguar Militao, Felipe, Hektor Herrera, Maksi Pereira dhe Adrian, por kanë mbërritur Nakajima, Za Luis, Luis Diaz, Sarabia, Loum dhe Marcano. “Do të bëj diçka ndryshe nga ajo që kam bërë në fushë. Do të përpiqem të jem lidhja mes ekipit dhe klubit. Misteri më tha se dëshironte që të qëndroja me ekipin, pranë lojtarëve, pranë futbollistëve më të rinj, sepse do të ketë shumë ndryshime. Do të përpiqem të bëj më të mirën për të ndihmuar shokët e mi”, deklaroi Kasijas. Portieri do të marrë rol drejtues në klub, fillimisht tek Porto, ku ai do të fitojë eksperiencë dhe më pas mund të rikthehet në Madrid, në radhët e klubit “merengues”, për të qenë pjesë e klubit të zemrës, të shtëpisë dhe klubit më të mirë në botë. Ndoshta presidenti Florentino Perez mund t’i kushtojë rëndësi ish-portierit të Realit, i cili fitoi me “Los Blancos” shumë trofe të mëdhenj dhe njëherësh edhe Kupën e Botës në vitin 2010 në Botërorin e Afrikës së Jugut. Kasijas ka merita në këto suksese si në radhët e klubit të Realit të Madridit, ashtu dhe në përfaqësuesen “La Roja”. Largimi i tij nga Reali ndodhi për shkak të humbjes së besimit të disa anëtarëve të klubit që në kohën kur ekipin e drejtonte Murinjo, kohë kur futbollin spanjoll e dominonte Barcelona. Gjithsesi, sharmi i Kasijasit si portier i nivelit të lartë nuk humbi asnjëherë. Ai fitoi gjithçka me Realin dhe me përfaqësuesen e Spanjës, si Champions, Europianë e Botëror. Marrja e detyrës në stafin e Portos do ta ndihmnojë në të ardhmen të lakmojë pozita të rëndësishme tek Reali i Madridit.
Adriatik BALLA