Vrau shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, del nga qelia Nehat Kulla, krijoi bandën e tij kriminale në vitin 1997

0
534

Nehat Kulla, i dënuar me 20 vjet burg në vitin 2005, la ditën e djeshme qelinë. Ai doli nga qelia e burgut të Fushë-Krujës në orën 18:00, ku vuajti dënimin për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata. Ngjarja ndodhi në vitin 1998 në Golem, ku viktimë mbeti Halim Gjuzi. Autoritetet e cilësuan këtë si vrasje me paramendim. Sipas prokurorisë, pas një incidenti me makinë, viktima është gjendur nën breshërinë e armëve të zjarrit duke mbetur i vrarë në vend. Dëshmitarët asokohe thanë se makina nga u qëllua ishte me targa ushtarake duke çuar organin e akuzës në dyshimet se mund të kishte qenë Nehat Kulla, i njohur me nofkën “Gjenerali”. Pas një sërë peripecish mes të cilave pesë arrestime e më pas liri e amnisti, Nehat Kulla prangoset sërish në vitin 2005 gjatë një operacioni blic të firmosur nga gjykata për kontroll banese. Nga ky kontroll doli ashtu siç prisnin forcat e policisë se “Gjenerali” mbante në kullën e tij armë. Teksa u dënua me katër vjet heqje lirie, prokuroria njëkohësisht deklaroi se po e hetonte 57-vjeçarin edhe për vrasjen e shoferit të ish-ministrit. Nehat Kulla nuk e ka pranuar kurrë të jetë autor i ngjarjes e për këtë edhe avokatët e tij mbrojtës u kanë thënë togave të zeza se dëshmitë dhe provat e mbledhura ishin manipuluar. Një vit më parë ai kërkoi liri me kusht, duke deklaruar se është i sëmurë.

Banda e Nehat Kullës

Në vitet e mbrapshta ’97-’98 Nehat Kulla krijoi bandën e tij kriminale në fshatin Tufinë të Tiranës. Gjatë trazirave të 1997 ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetes edhe nofkën “Gjenerali”, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai krijoi një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij.

Krimet e tjera të “Gjeneralit”

Përveç vrasjes së Halim Gjuzit, banda e tij kreu shumë krime të tjera të frikshme. Në vitin 1997 ai grabiti një kamionçinë ushtarake tip “Chevrolet” me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Për këtë arsye, dyshimet e para të prokurorisë për vrasjen e Halim Gjuzit ishin për Kullën sepse edhe shoferi i ish-ministrit, sipas okularëve, ishte qëlluar nga një makinë ushtarake. Lëvizjet e tij Kulla i bënte gjithmonë i shoqëruar me eskortë të armatosur me automatikë. Nehat Kulla u akuzua dhe dënua në vitin 1996 me 11 vjet burg edhe për vrasjen e Petrit Moçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve me detyrë polic pranë komisariatit 4 në Tiranë. Në vitin 1997 ai u arratis nga burgu, por u arrestua në shtator të 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Në makinën dhe shtëpinë e tij pas arrestimit u gjetën armë të shumta, por Kulla mohoi para gjykatës që t’i kishte përdorur ato si vrasës. Sipas tij, ai kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit që ishin në nevojë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupa gjykuese hodhi poshtë disa prova kundër tij, duke ia zbutur kështu dënimin nga 11 vjet në 2 vjet burg. Pas lirimit, ai kreu një tjetër akt kriminal, duke dhunuar një grup gazetarësh të revistës “Klan”. Për këtë vepër ai u dënua me 5 vjet heqje lirie, por u lirua për sjellje të mirë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here