Forcat e policisë arrestuan ditën e djeshme tre shtetas të kapur në vjedhje. Arrestimi i parë u krye në qytetin e Shkodrës, ku në pranga ra një 41-vjeçar jo i panjohur për uniformat blu. Olsi Boriçi u shoqërua nga blutë e Shkodrës gjatë një operacioni të koduar “Transaksioni” sepse gjatë kohës që punonte bankier në një bankë, bashkë me një punonjës tjetër, kishin vjedhur 28 milionë lekë të rinj. “Finalizohet operacioni policor “Transaksioni”. Një tjetër i kërkuar bie në prangat e Policisë. Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim i dënuar me 10 vite burg. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u zhvillua operacioni i koduar “Transaksioni”, duke u finalizuar me kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit të shpallur në kërkim, konkretisht: Olsi Boriçi, 41 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në banesë në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë. Aty është zbardhur edhe skema sesi Olsi Boriçi bashkë me kolegun e tij vidhnin shuma të majme parash. Ata kryenin transaksione pa dijeninë e klientëve të bankës, duke falsifikuar firmat e këtyre të fundit. Për këtë vepër penale Boriçi është dënuar me 10 vjet burg, por nuk e ka vuajtur dënimin sepse ka qenë në arrati. “Kapja dhe ndalimi tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2017, e ka dënuar me vendim të formës së prerë me 10 vite burg, për veprën penale “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” parashikuar nga neni 136/2 të Kodit Penal. Ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër duke qenë punonjës të një banke të nivelit të dytë kanë kryer disa transaksione në shuma të konsiderueshme parash pa miratimin e klientëve të kësaj banke dhe duke falsifikuar nënshkrimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 28.000.000 lekë (të rinj), këto veprime janë kryer në data të ndryshme të muajit shtator të vitit 2009. Personi do i dorëzohet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme”, përfundoi njoftimi i Policisë së Shkodrës.
Arrestohen 2 hajdutë nga Tirana
Rasti i dytë i vjedhjes që u godit dje nga forcat e policisë ishte ai në Tiranë. Pas telefonatës së një 29-vjeçari, banesa e të cilit ishte grabitur, uniformat blu të kryeqytetit vunë në pranga dy të rinjtë K. A. dhe XH. F.. Ata kishin vjedhur me dhunë orën dhe celularin e denoncuesit. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, falë reagimit të shpejtë dhe profesional vunë në pranga dy autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë të 29 vjeçarit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 1, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi M. M., se dy persona i kishin hyrë në banesë dhe nëpërmjet dhunës i kishin marrë orën dhe celularin, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, konkretisht: K. A., 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. XH. F., 28 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale orën dhe aparatin celular që këta shtetas i kishin marrë me dhunë shtetasit M. M.”, njoftoi Policia e Tiranës.