Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vijojnë të përplasen në distancë me njëra-tjetrën sa i takon zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Ditën e hënë Partia Socialiste do të paraqesë në Kolegjin Zgjedhor 15 padi për rezultatin e zgjedhjeve për këshillat bashkiak. Në mungesë të shumicës absolute prej 5 votave, pasi kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Klement Zguri, i cili ka votuar në çdo rast kundër, pasi nuk e njeh procesin dhe respekton dekretin e presidentit, mazhoranca qeverisëse i është drejtuar Kolegjit për të shpërndarë mandatet edhe në 15 këshillat bashkiak. Dy ditë më parë, PS dërgoi në Kolegj 4 padi për shpërndarje e mandateve për këshillat bashkiak, më konkretisht në Urën Vajgurore, Konispol, Devoll dhe Kuçovë. Kjo do të thotë që do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve për këshilltarët bashkiakë si në rastin e vitit 2011 në bashkinë e Tiranës. Kështu PS-ja do të dërgojë në Kolegj padi për të gjithë bashkitë për t’i certifikuar. Kujtojmë që kryetarët e rinj të bashkive nuk nisin dot detyrën pa u betuar në Këshillin Bashkiak.
PD akuza për manipulim
Ndërkohë Partia Demokratike ka vijuar me pretendimet e saj se mazhoranca ka manipuluar procesin zgjedhor në 30 qershor. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi në një dalje për media nga selia blu ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u shpreh se me urdhër të kryeministrit Edi Rama, është manipuluar rezultati zgjedhor. Sipas tij, votimi në Bashkinë e Vaut të Dejës është bërë në fleta të falsifikuara, duke shtuar se KQZ është e përfshirë edhe në skandale të tjera për manipulim të rezultatit. “Skandaleve të KQZ i shtohet skandali i Vaut të Dejës, ku është votuar me fletë të falsifikuara votimi. Votimet moniste të 30 Qershorit ishin prova e radhës se me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Komisioni Qendror i Vjedhjeve, nën urdhrat e Ramës, është përfshirë nga skandali në skandal. 3 janë skandalet më të mëdha, ku është kapur në flagrancë. Falsifikoi dhe manipuloi pjesëmarrjen në votime për llogari të propagandës së Edi Ramës. Falsifikoi rezultatin e votimeve në Bashkinë Elbasan sipas urdhrave të Taulant Ballës për të fshehur se për Elbasanin kishte më shumë vota për kandidatin sesa fletë votimi në kuti. Ka lejuar që në Vaun e Dejës të kryhet votim me fletë të falsifikuara dhe që nuk i dihet origjina e tyre”, u shpreh Bardhi.
Djegia e KZAZ-ve
Duke qenë se materialet zgjedhore në këtë bashki u dogjën në një prej KZAZ-ve nga mbështetës të kësaj force politike, Bardhi ngriti akuza se këto fletë votimi nuk janë zëvendësuar, siç ka deklaruar Tom Doshi. “Duke qenë se materialet zgjedhore u dogjën, KQZ vendosi në 28 qershor nxjerrjen jashtë përdorimit të të gjitha fletëve të votimit, rreth 40 mijë të tilla, të të gjitha materialeve të tjera zgjedhore, përfshire lista, vula etj. Në orën 07:00 të 30 qershorit, u deklarua se edhe me angazhimin personal të deputetit Tom Doshi, person në listën e zezë të SHBA, gjithçka ishte në rregull, fletët kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu, dhe kishte nisur procesi i votimit në të gjitha QV e Bashkisë së Vaut të Dejës. E gjitha është një gënjeshtër. Është mashtrim publik me pasoja të rënda i KQZ. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se Fletët e Votimit në orën 07.58 minuta të datës 30 Qershor kanë qenë ende në Doganën e Hanit të Hotit”, u shpreh Bardhi.
Elisjeda Kiko