Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet të marrë jetë javën tjetër. Gjatë kësaj jave që po lëmë pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi fazën e intervistave me të gjithë kandidatët prokurorë për SPAK. Nga e hëna në të premte, prokurorët që aspirojnë të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion dhanë llogari para anëtarëve të KLP, por edhe para ndërkombëtarëve për dosjet e bujshme që kanë hetuar. Pas kësaj faze, KLP pritet të mblidhet gjatë javës tjetër për të hapur kapitullin për pikëzimin e kandidatëve. Vetë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë deklaroi pak ditë më parë se KLP do ta ketë gati listën e fituesve brenda korrikut. Por më pas do të duhet të pritet procesi i vetingut për pjesën tjetër të kandidatëve që nuk kanë kaluar akoma në sitë. “Brenda korrikut do të kemi listën e fituesve për sa na takon ne. Pastaj, menjëherë në ditët në vijim do të bëjmë aritmetikën e mbledhjes së pikëve për të pasur fituesit”, u shpreh Ibrahimi. Nisja e procesit të pikëzimit të kandidatëve të SPAK javën e ardhshme faktohet edhe nga një shkrim që vetë stafi i KLP ka përgatitur në mbyllje të procesit të intervistave. “Kandidatët janë pyetur për karrierën e tyre dhe vështirësitë që kanë hasur gjatë punës në sistemin e drejtësisë, si dhe për dosjet e bujshme që kanë hetuar. Javën e ardhshme do të bëhet pikëzimi i të gjithë kandidatëve”, thuhet në shkrim. Pra, duket se javën e ardhshme do të piketohen emrat që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta, çka do të jetë një hap shumë i madh në ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Prokuroria Speciale nis punën me 5 anëtarë
Ajo që e afron edhe më shumë Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion është fakti se ky organ pritet të nisë funksionimin me pesë anëtarë fillimisht. Prej kohësh, Gent Ibrahimi ka deklaruar se SPAK do ta nisë punën edhe me më pak se 10 anëtarë, por duket se kjo gjë do të bëhet realitet gjatë javës tjetër. Përmes pikëzimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përzgjedhë edhe pesë prokurorë, të cilët do të bëjnë të mundur që të nisë puna e SPAK. Më pas, ky numër të plotësohet pak nga pak dhe do të bëhen 10 anëtarë, aq sa është minimumi i përcaktuar në ligj. Numri pesë i anëtarëve me të cilët do të nisë punë fillimisht Prokuroria e Posaçme është i përcaktuar tek shkrimi i publikuar në faqen zyrtare të KLP. “Kandidatët duhet të plotësojnë dy kushte kryesore për të qenë pjesë e SPAK, të kenë kaluar vetingun, si dhe të kenë marrë pikë të mjaftueshme në procesin e pikëzimit, që lidhet me dosjet që prokurorët kanë hetuar dhe me kontributin e tyre në sistemin e drejtësisë. Në momentin që do jenë pesë emra të konfirmuar, KLP i jep “OK” ngritjes së SPAK”, thuhet në shkrim. Në fakt, aty specifikohet që pesë anëtarët e parë duhet të kenë kaluar procesin e vetingut. Por kjo nuk përbën asnjë problem sepse deri më tani sfidën e vetingut e kanë kaluar me sukses plot 10 prokurorë që kandidojnë për në SPAK. Ata që janë konfirmuar në detyrë kanë patur në dorë edhe hetimin e dosjeve të bujshme, çka është një kriter mjaft i rëndësishëm për t’u zgjedhur anëtar i SPAK. Duke qenë se edhe kanë hetuar dosjet e nxehta të korrupsionit e krimit të organizuar dhe janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, këta 10 prokurorë janë të favorizuarit që mes tyre KLP të zgjedhë pesë, me qëllim që puna e SPAK të mos vonohet më. Pra, konstituimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është çështje ditësh dhe duket se asgjë nuk do ta ndalë dot më punën e saj.
Mimoza Ibra