Njëzet e katër orë pas vendimit të dhënë nga gjykata e Lozanës, e cila la në fuqi vendimin e UEFA-s, duke e dënuar ekipin bardhekuq për 10 vitet e ardhshme nga çdo kompeticion Europian si dhe 1 milion euro gjobë, klubi korçar ka vendosur të dalë në një deklaratë për mediat ditën e djeshme. Sipas tyre, edhe pse vendimi është marrë, në zyrat e tyre nuk ka shkuar ende komunikimi zyrtar. Klubi korçar e konsideron procesin ndaj tyre si të dyshimtë, ku i gjithë procesi ndaj tyre ka qenë i paragjykuar, i njëanshëm dhe i paracaktuar që prej vitit 2016. Madje, në reagimin e tyre thuhej se inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta se Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja perceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të. “Vendimi i CAS në formën e tij të plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithë procesi ndaj klubit tonë ka qenë i paragjykuar, i njëanshëm dhe i paracaktuar që prej vitit 2016. Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proces ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja perceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, perceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta. Në lidhje me këtë, është e rastit të përmendet se ndaj inspektorëve të UEFA’s përgjegjës për hartimin e raporteve kundër klubit tonë, konkretisht Z. Dhont dhe Z. Lietard, aktualisht, ekzistojnë padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit korçar. Por, nuk mbaron me kaq, teksa korçarët shtojnë se është e papranueshme që CAS të marrë si të mirëqena raportet e BFDS, sistem për të cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in. Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA. Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me procesin. “Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim për të cilin vendimmarrës janë njerëz me lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyrëtë shprehur kundërshtonte kërkesën tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është tërheqja nga gjykimi i çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve. Është e qartë që emërimi i këtij personi ka qenë në funksion të mbrojtjes së interesave të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qenë të mandatuar për të mbrojtur njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final”, thuhet në deklaratë. Në fund, Skënderbeu pohon se do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019, pasi kanë besimin e plotë se është e pafajshme.