Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama është vlerësuar me një çmim në Londër, ndërsa ishte pjesë e Samitit Ndërkombëtar të Grave.
Ajo mbajti një fjalim gjatë samitit, lidhur me barazinë gjinore, ndërsa pasi mori çmimin “Phenomenal Global Woman” tha se ua dedikon nënave dhe gjysheve, që sipas saj kanë bërë sakrifica në dy periudha historike: gjatë diktaturës komuniste dhe tranzicionit shumëvjeçar.
“Ndihem thellësisht e prekur, e nderuar dhe e privilegjuar që jam këtu me ju sonte. Fenomenale… në fakt e vërtetë, gratë janë fenomenale.
Ky çmim i kushtohet të gjithave, por në veçanti nënave dhe gjysheve të brezit tim. Gra të jashtëzakonshme që kanë bërë sakrifica sublime në dy periudha historike: gjatë diktaturës komuniste dhe tranzicionit shumëvjetor. Secila prej tyre është fenomenale. Veç të tjerash, dua të bëj një dedikim të veçantë që më buron nga zemra”, tha Linda Rama, e cila bëri edhe një dedikim për bashkëshortin e saj, kryeministrin Edi Rama.
“Për bashkëshortin tim, zëri më i fuqishëm në promovimin e ekselencës së gruas, mbështetësi më i zellshëm i gruas, si kryebashkiak, si kryetar i partisë politike më të madhe në vend dhe si kryeministër. Faleminderit Edi, jam shumë krenare për ty!”, u shpreh Linda Rama.