Presidenti Ilir Meta duket se po braktiset nga të vetët. Pak kohë më parë ishte gazeta që tregoi se Alqi Bllako ishte larguar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Por ditët e fundit kanë ndodhur të tjera lëvizje në Presidencë. Sipas faqes zyrtare të saj, Valter Ibrahimi është larguar nga posti i këshilltarit diplomatik të Ilir Metës dhe në vend të tij është emëruar Spiro Koçi. Sipas burimeve të gazetës, Bllako ka kaluar me PS dhe është bërë drejtor i Agjencisë së Ujësjellësit. Ai ka marrë me vete shumë persona dhe kjo ka shkaktuar tërmet në Presidencë. Po ashtu dhe mjaft punonjës të tjerë kanë braktisur Metën. Largimi më i fundit është ai i zotit Valteri. Nuk dihen arsyet e largimit të tij, ndërkohë që është zëvendësuar nga një person jo dhe aq i panjohur, nga Spiro Koçi. Ky i fundit ka pasur karrierë si ambasador dhe në vitin 2015 u kthye në mollë sherri mes ish-presidentit Bujar Nishani dhe ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ky i fundit kërkoi lirimin e Koçit nga detyra e ambasadorit në OSBE, por presidenti nuk e pranonte duke shkaktuar 11 muaj përplasje. Koçi ishte emëruar si përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Selisë së OSBE-së në Vjenë që më 28 shtator 2010, pra kishte qëndruar pesë vite në këtë detyrë. Kërkesa e parë e qeverisë në adresë të Nishanit ishte bërë zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama në janar të vitit 2015. Më pas Bushati përmes një letre kërkonte lirimin nga detyra sepse kishte mbaruar mandatin. Pas 11 muajsh përplasje Nishani e liroi. Më pas Koçi u emërua në SHISH si drejtor i Analizës. Emërimi u bë nga Visho Lika. Në qershor të këtij viti ai është larguar nga ky post dhe është emëruar nga Meta si këshilltar diplomatik. Nga përplasjet e shumta që ndodhën, ai ishte i “padëshiruar” nga qeveria. Por me emërimin e tij Meta tregoi dhe një herë se vijon të mbajë në detyrë ata që janë përplasur me qeverinë. Ndërkohë Koçi bëhet i dyti ish-funksionar i SHISH aty, pas Bahir Shaqirit.
Detajet
Ajo që bie në sy është se në Presidencë janë ende në detyra të larta përfaqësues të PD-LSI. Edhe pse Bujar Nishani u largua, Ilir Meta vendosi të mbajë në funksione 5 këshilltarë. Valter Ibrahimin që u zëvendësua nga Koçi, ishte i punësuar nga Nishani. Madje ka marrë dhe dekoratë nga ish-presidenti. Ibrahimi ka shërbyer si ambasador në Gjermani e Austri gjatë kohës që PD ishte në pushtet. Një tjetër emër që Meta ka mbajtur në detyrë është Flamur Gashi, këshilltar për çështjet e rajonit. Të njëjtin post ai ka mbajtur për 3 vite, (2014-2017) në administratën e Bujar Nishanit. Në listë është dhe Ylli Asllani, këshilltar për pushtetin lokal. Në vitet 2005-2013 ka qenë pjesë e kabinetit të ish-Kryeministrit Sali Berisha si Këshilltar për problemet vendore, ndërsa në periudhën 2013-2017 kaloi si këshilltar i Nishanit. Tjetër emër është Pirro Ahmetaj, këshilltar për ushtrinë. Ai ka mbajtur të njëjtin post dhe te Nishani, ndërsa u përfshi dhe në skandale. Pati përplasje të forta mes tij dhe përfaqësues të mazhorancës së sotme. Madje dhe me deputetë të LSI. Por në Presidencë u futën dhe përfaqësues të LSI. Ilda Zhulali, Mjalind Lazimi, Bardhylka Kospiri dhe Ornela Zonja janë ish-funksionarë të LSI. Reagimet e ditëve të fundit të Presidentit, emrat që ka në staf dhe fakti që bashkëshortja e tij është në rrugë kundër qeverisë, tregon qartë se në krye të luftës me bomba molotov është presidenti.
Kliti Topalli