Basha nis reformën në degë, ndryshon koordinatorët në 7 qytete, largon nga Shkodra Nokën, Spaho merr drejtimin e partisë në Tiranë

0
332

Kreu demokrat Lulzim Basha ka nisur reformën në degë. Dy ditë më parë ai zhvilloi takim me kryebashkiakët e djathtë në ikje, ku i vuri në dijeni se punët në bazë nuk po ecin si duhet. Në këtë mënyrë, kryeopozitari ka bërë lëvizje në 7 degë. Basha ka larguar Flamur Nokën nga koordinatori i Shkodrës dhe në vend të tij emëroi të besuarin Gazment Bardhi. Kjo lëvizje bëri që Flamur Noka të emërohet koordinator në qytetin e Elbasanit, duke zëvendësuar Luçiano Boçin. Një tjetër lëvizje në bazë është edhe emri i Edmond Spahos, i cili nuk do të ketë më koordinimin e Elbasanit, por të Tiranës, duke u pasuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili nga drejtues i degës në Fier u emërua në Dibër. Por reformës në degë nuk i shpëtoi as Ervin Salianji, i cili nga koordinator në qytetin e Korçës, u emërua në qytetin e Gjirokastrës. Në vend të Salianjit në Korçë, kreu demokrat emëroi koordinatorin e Elbasanit Endri Hasa. Po ashtu, Korçës iu bashkua edhe koordinatori i Lushnjës Sahit Dollapi. Ndërsa ish deputeti Oerd Bylykbashi la qytetin e Durrësit dhe iu bashkua koordinimit të Tiranës. Por përveç reformës në degë, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi edhe një takim me ish kryeministrin kanadez Stephen Harper. Lajmin e bëri të ditur vetë Basha, i cili përmes një postimi në rrjetin social, të shoqëruar me foto nga takimi, deklaroi se në fokus të diskutimit ishte zgjidhja e krizës, e cila sipas tij zgjidhet përmes mbrojtjes së standardeve të demokracisë dhe të shtetit ligjor. “Nder dhe privilegj të takohem në Tiranë me mikun e çmuar Stephen Harper, Presidentin e International Demokrat Union, ish-kryeministër i Kanadasë dhe një ndër zërat më të spikatur të së djathtës në mbarë botën. Bashkë diskutuam për krizën e rëndë politike dhe kushtetuese ku është futur vendi si edhe për rrugëdaljen prej saj që duhet të kalojë përmes mbrojtjes së standardeve të demokracisë dhe të shtetit ligjor. Si një ndër përkrahësit më të vyer të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë, i shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e tij të vazhdueshme që Shqipëria të përmbushë standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës si garancia e vetme për integrimin tonë në BE. PD dhe unë e mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadër të organizatës botërore të IPU që përfshin partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë me seli në Munih, ku aderojmë prej vitesh”, tha Basha. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here