Kuvendi po ecën në rrugë të drejtë për amendimin e neneve të ligjeve të reformës në drejtësi të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Së fundmi, në Komisionin e Ligjeve janë depozituar ligjet e reja që do të zëvendësojnë ato të hedhurit poshtë nga Kushtetuesja. Kështu, sot komisioni pritet që të nisë me shqyrtimin e njërit prej ligjeve, sikundër është ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenet e të cilit kanë ndryshuar rrënjësisht. Referuar projektligjit të botuar në faqen zyrtare të Parlamentit, rezulton se është propozuar ndryshimi i 16 neneve, përmes të cilave synohet të garantohet transparencë në emërimin dhe promovimin në karrierë të magjistratëve. Projektligji në fjalë është iniciuar nga deputetët e mazhorancës, Bashkim Fino, Adnor Shameti dhe Alket Hyseni, si dhe dy deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari e Myslim Murrizi. Në relacion, thuhet se shtesat dhe ndryshimet e propozuara janë të domosdoshme me qëllim plotësimin vakuumit ligjor të krijuar nga shfuqizimi i dispozitave që lidhen me shkeljet disiplinore të magjistratëve. “Plotësimi i këtij vakuumi ligjor është i nevojshëm për të garantuar zbatimin e parimeve të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, bazuar në elementet e procesit të rregullt ligjor, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare”, thuhet në relacion. Interesant është fakti se në rastet kur magjistratëve ndaj të cilëve ka nisur një shkelje disiplinore, iu mohohej e drejta për tu njohura me provat, tashmë ata kanë të drejtën të njihen me dokumentet e dosjes dhe të marrë një kopje të saj, përpara se Këshilli të marrë vendimin. Megjithatë, ligjvënësi ka parashikuar disa raste, kur gjyqtarit ose prokurorit, i kufizohet e drejta për tu njohur me dosjen dhe kjo ndodh kur shkaktohet një dëm i rëndë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, apo cenohen të drejtat e një personi tjetër”, thuhet aty. Gjithashtu, një tjetër ndryshim lidhet me moshën e pensionit të magjistratëve. “Ndryshimet e propozuara synojnë të vendosin rregulla dhe procedura të qarta për përfundimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë kur mbushin moshën e pensionit gjatë ushtrimit të funksionit”, thuhet në relacion.