Zyrtare, merr fund telenovela Grizman, katalanasit i paguajnë Atletiko Madridit klauzolën e francezit

0
439

Barcelona ka paguar klauzolën prej 120 milionë eurosh, që duhet për të prishur kontratën mes Griezmann dhe Atleticos së Madridit

Antoine Griezmann është zyrtarisht lojtar i Barcelonës. Katalanasit kanë paguar ditën e djeshme klauzolën prej 120 milionë eurosh, për ta shndërruar francezin në futbollistin më të ri katalanas. Në këtë mënyrë, realizohet edhe ëndrra e lojtarit për të veshur fanellën e blaugranëve, ku do të ketë mundësinë për të konkurruar për titujt më të rëndësishëm në kontinent. E nisur më tepër se një vit më parë dhe e kulmuar me deklarata të tensionuara në ditët e fundit, “telenovela” Antoine Griezmann duket se ka ardhur në fund dhe kampioni i botës me Francën do t’i bashkohet Barcelonës. Avokati i sulmuesit dhe klubi katalan kanë qenë sot në zyrat e ligës spanjolle, për të paguar klauzolën prej 120 milionë eurosh, që duhet për të prishur kontratën mes Griezmann dhe Atleticos së Madridit, ndërsa zyrtarizimi është çështje orësh. Sulmuesi francez pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me klubin katalan dhe t’u bashkohet shokëve të rinj të skuadrës të dielën, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Valverde, në prag të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ardhshëm, ndërsa konfirmohet se në kontratën e re do të ketë një klauzolë prej 800 milionë eurosh. Asgjë për të bërë, për Atleticon e Madridit, që reagoi me forcë dhe akuzoi Barcelonën se ka kontaktuar me Griezmann në një “pikë të nxehtë” të sezonit, duke shkelur parimet e besueshmërisë së garës. Kjo pasi klauzola e prishjes së kontratës mes Griezmann dhe “Los Colchoneros” thekson qartë se nëse në arkat e Atleticos kalojnë 120 milionë euro, Griezmann është i lirë të largohet nga “Wanda Metropolitano”. Ndërkohë, marrëveshja ishte diçka e pritshme prej ditësh, megjithatë mori një goditje në momentin kur Atletiko zbuloi se lojtari kishte një marrëveshje me Barcelonën prej muajit mars. Por, në fund bashkimi i sulmuesit me Barçën ishte i pashmangshëm. Francezi iu bashkua Atleticos së Madridit 5 sezone më parë dhe ka qenë një nga “yjet” e skuadrës në vitet e fundit, duke kontribuuar në arritjen e një sërë suksesesh të spanjollëve në La Liga dhe Europë. Griezmann ishte shumë pranë Barcelonës edhe verën e kaluar, por angazhimi me Francën në “Rusi 2018”, ku u shpall edhe kampion bote, bëri që të shtynte marrëveshjen me katalanët dhe të qëndronte edhe një tjetër vit në Madrid. Megjithatë tani është mbyllur gjithçka dhe duke filluar nga ky sezon, francezi do të luajë në krah të Lionel Messit dhe Luis Suarez, ndërsa synimi është që të dërgojnë sa më shumë topin në rrjetat e portave kundërshtare për të garantuar suksesin e Barcelonës në Spanjë dhe Europë. Kështu, Barcelona formon një repart ofensiv për t’u pasur zili si me Mesin, Suarez, ndërkohë që përflitet edhe për një rikthim të Neymar. Me depozitimin e klauzolës në Federatë, më pas do t’i hapet rruga edhe vizitave mjekësore dhe prezantimit të Antoine Griezmann në ‘Camp Nou’. Lajmin e transferimit të francezit e kanë konfirmuar të gjitha mediat spanjolle dhe gjithçka pritet të ndodhë është vetëm zyrtarizimi. Barça shpreson ta prezantojë sulmuesin të shtunën, përpara se të hënën ai t’u bashkohet shokëve të rinj të skuadrës në fazën përgatitore. Në shtëpinë e katalanasve janë duke bërë përgatitjet e fundit. Por, risia do të jetë se prezantimi i 28- vjeçarit do të bëhet “me dyer të mbyllura” ose pa tifozë në shkallët e “Camp Nou”-t për të duartrokitur kampionin e botës teksa xhonglon topin. Në fakt, stadiumi i Barcelonës po i nënshtrohet rinovimit të tapetit, por përveç kësaj drejtuesit e klubit me udhëzimin e presidentit Bartomeu në veçanti, kanë preferuar që do të jetë më mirë që të mos ketë një festë, për shkak të tensionit të futbollistit me tifozët katalanas nisur vitin e shkuar, kur ai refuzoi transferimin në “Camp Nou” përmes një dokumentari dhe pati edhe një përplasje me Pikenë. Kështu që, është më mirë që për momentin të shmanget ndonjë incident i mundshëm mes tifozëve dhe lojtarit. Kontakti i parë mes Griezmann-it dhe tifozëve do të jetë më 4 gusht, me rastin e trofeut “Gamper”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here