“Zogu i Zi”, dy mbrëmje në Teatrin Eksperimental

0
528

Vepra teatrore “Zogu i Zi” shkruar nga David Harrower për publikun erdhi dy mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Me regji nga Kiço Londo dhe interpretimin e aktorëve Laura Nezha, Alfred Trebicka dhe Rexhina Ibro (vajza e vogël) erdhi një shfaqje e bazuar në një ngjarje të vërtetë të kronikës. Vepra është vënë për herë të parë në skenë në 2006 në festivalin e Edinburgut, dhe ka pasur një impakt të madh, duke u vënë dhe në skena të tjera. Regjisori Kiço Londo tregon se kjo vepër nuk ka munguar as në Hollivud. 15 vjet pas historisë së dashurisë tragjike në kohë të gabuar të 12 vjeçares Una me 41 vjeçarin Rei, histori e cila ka shkatërruar jetët, Una shfaqet përpara tij. Ajo ka ngrirë në kohë, pa shpresë. Në pamje të parë, duket sikur Una vjen për hakmarrje, për larje hesapesh, por motivet e ardhjes janë më komplekse, sepse marrëdhënia e tyre ka qenë më e komplikuar se marrëdhënia e abuzuesit me viktimën. Ajo, e siguron se e do. Ai, i shtërnguar dhe në ankth, e siguron se nuk ka pasur ndjenja për ndonjë vajzë tjetër aq të re, duke u përpjekur për t’i shpëtuar përmbytjes së një dashurie të çmendur, që te Una ka mbetur e njëjtë. Kujtimet erotike përzihen. Intensiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh. Dy fantazma të së tashmes, të pafajshëm sa dhe fajtorë, dy njerëz që jetuan diçka të mrekullueshme dhe të frikshme njëherësh, që shoqëria dhe ligji i etiketoi abuzuesi dhe viktima. “Zogu i Zi” është një pjesë e tmerrshme teatrore, thellësisht shqetësuese, emocionalisht e brishtë që të lë pa frymë dhe të prekur. Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura. Në thelb vepra teatrore “Zogu i Zi”, fton që shoqëria të dialogojë për sa i përket çështjeve të nxehta duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human në botën moderne. Skenograf në vepër është Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreograf Graciano Tagani, as/regjisor Marsel Greva. Kjo vepër teatrore është ndër të fundit, që janë këtë sezon artistik në skenën e këtij teatri, që gjatë kësaj kohe ka sjell premiera të ndryshme për publikun. Kjo vepër që u shfaq në sallën “Molier” ia lë më pas vendin premierës “Jul Cezari”, që do të jetë në sheshin e teatrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here