Titulli kampion pas 26 vitesh do të mbush përveç gëzimit që morën lojtarët dhe drejtuesit pasi erdhi pas një kohe të gjatë, do të mbush edhe arkën Partizanit, teksa 800 mijë euro janë të sigurta prej shpërblimeve që jep UEFA. Institucioni më i lartë europian ka zyrtarizuar dje në faqen zyrtare shifrat që do të marrin klubet nga pjesëmarrja në kupat e Europës dhe te Partizani po festojnë, pasi veç për titullin kampion shkojnë në arkat e klubit 260 mijë euro. Pjesëmarrja në raundin e parë të kualifikueseve u jep atyre edhe 280 mijë euro të tjera. Në rastin më të keq, me Partizanin të eliminuar nga Champions League, klubi kryeqytetas merr edhe 260 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e dytë të Europa League. 800 mijë euro kampionët e Shqipërisë i kanë të sigurta, por synohet për më shumë. Për këtë duhet kaluar Karabaku. Klubi i kuq arkëton një shifër rekord, sepse këtë herë përfiton shuma të majme vetëm për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, nisur edhe nga vendimi që ka marrë qeveria europiane e futbollit. Pra, edhe nëse Partizani nuk arrin të kalojë një tur në Ligën e Kampioneve apo Ligën e Europës, merr 800 mijë euro neto nga UEFA. Nga ana tjetër, institucioni i futbollit shqiptar ka një shpërblim modest prej 100 milionësh, ndërsa më tepër është shitja e së drejtës TV, ku Partizani si kampion merr pjesën e “luanit”, afërsisht 120 mijë euro. Gjithashtu ndeshja me azertët e Karabakut mund ti japë dhe një përfitim tjetër arkës të së kuqve, atë të shitjes së Lukas Kardozo, pasi braziliani duket se nuk do të vazhdojë më me të kuqtë. Nga sa bëhet e ditur ai duket se do të luajë në Azerbajxhan. Nuk është ende zyrtare, por janë disa klube azere që kanë shprehur interes për brazilianin e të kuqve. Kardozo ka mbyllur një vit e gjysmë me Partizanin, ndërsa është pjesë e të kuqve edhe aktualisht, madje dhe i federuar për ndeshjet europiane me Karabakun. Por, 25-vjeçari që ka luajtur në 12 ndeshje të sezonit të shkuar, pasi vinte edhe nga dëmtimi tashmë është vënë në “shënjestër” dhe pritet që të ndërrojë ambient. Kardozo me shumë gjasa duket se do të luajë jashtë Shqipërisë dhe kjo pritet për t’u mësuar në ditët në vijim. Në ndeshjen e kthimit në tribunë pritet të jenë disa menaxherë që do të synojnë të përfitojnë shërbimet e brazilianit. Ndeshja e kthimit mes Karabakut dhe Partizanit do të luhet më 17 korrik, ora 19:00, në stadiumin “Dalga Arena” të Bakusë. Në fakt, Karabaku i zhvillon gjithnjë ndeshjet në Kupat e Europës në stadiumin “Tofik Bahramov”, i cili ka një kapacitet prej 31.200 vendesh. Mirëpo, këtë herë është detyruar të bëjë një tjetër zgjedhje për impiantin, sepse në “Tofik Bahramov” do të zhvillohet një festival rinor që ka rëndësi të madhe në kryeqytetin azer. Kësisoj, është “Dalga Arena” që do të presë Karabak-Partizani, teksa bëhet fjalë për një stadium që është përuruar në vitin 2011 nga Sep Blater dhe Mishel Platini. Ky impiant modern ka një kapacitet prej 6500 vendesh dhe plotëson kriteret e UEFA-s, mirëpo në kushtet kur interesimi nga tifozët e Karabakut është shumë më i madh se kapaciteti i stadiumit, fakti që do të luhet në “Dalga Arena” nuk shikohet si diçka pozitive për skuadrën. Gjithsesi, bëhet fjalë për një impiant mjaft komod, që ka pritur në të kaluarën edhe ndeshje të Kombëtares azere. Në bazë të rregullores së UEFAs për tifozët, në dispozicion të Partizanit do të ketë vetëm 350 bileta. Gjasat janë që një grup i vogël tifozësh të kuq të udhëtojnë të organizuar, ndërsa të tjerë do të ftohen nga klubi i kuq për të qenë bashkë në avionin çarter që do të niset nga Tirana në Baku më 16 korrik. Detajet e udhëtimit të “demave” do të publikohen nga klubi në ditët në vijim.