Leonard Xhokaxhi sjell shfaqjen “Dancing in Albania”, në amfiteatrin e Tiranës

    0
    520

    Shfaqja e baletit “Dancing in Albania” ideuar dhe me koreografi nga Leonard Xhokaxhi (Ajkun) vjen mbrëmjen e sotme për publikun në amfiteatrin e Tiranës. Një shfaqje që ka bërë bashkë artistët e njohur të baletit në vend, por dhe të rinj të Shkollës e Baletit. Programi për këtë shfaqje baleti është i ndarë në tre pjesë, në kontepmporane, klasike dhe moderne. I njohur me aktivitetin e tij si koreograf Xhokaxhi sjell sonte dhe “Legacy, the Odyssey of Albania”. Solistja e njohur Ledia Sulaj shprehet se në këtë pjesë koreografi ka përdorur dhe motivet shqiptare. “Pjesa është bazuar dhe me motive koreografike shqiptare, sepse Leonard Xhokaxhi (Ajkun) e ka krijuar vetë në Amerikë me nostalgji të Shqipërisë”, pohon solistja Sulaj. Sipas solistes, bashkëpunimi me Xhokaxhi është një eksperiencë më vete. “Ke shumë për të mësuar, sepse ai është i gjithanshëm dhe shume profesional. Pasi kam bashkëpunuar me të para disa vitesh në veprën “Raimonda dhe Spartaku” tani rivjen me një projekt komplet të ri dhe kuptimplotë. E bukura është, sepse marrim energji nga të rinjtë dhe shkëmbejmë eksperienca nga nacionalitete të ndryshme. Leonardi ka kompaninë e tij në Amerikë dhe kooperon në shumë vende të botës. Është fat për ne që vjen dhe në Shqipëri. Në shfaqje janë balerinë nga Shqipëria dhe disa të rinj nga Shkolla Kombëtare Koreografike”, shprehet Ledia Sulaj. Në shfaqje nga TOB këtë mbrëmje janë artistët Ledia Sulaj, Kevin Lila, Erisa Gina, Alisa Gjoni dhe Renato Lleshi. Po ashtu dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se është një shfaqje, që nuk duhet humbur. “Leonard Ajkun sjell programin “Dancing in Albania” në Shkollën Kombëtare të Baletit, ku pjesëmarrësit studiojnë teknikën klasike të baletit, atë kontemporane, si dhe laboratorin koreografik. Ju ftojmë të shijoni shfaqen përfundimtare pas 2 javësh punë intensive”, shkruan ministrja e Kulturës.

    Puna me shfaqjen

    “Dancing in Albania” është një vazhdimësi i programeve të mëparshme të ideuara dhe prodhuara nga Leonard Xhokaxhi (Ajkun). Nga viti 2000 deri në ditët e sotme me “Performing in New York” në New York City, më pas me “Winter festival” në Manhatan dhe “Dancing in Italy”, “Dancing in Albania” është një program intensiv i baletit, ku pjesëmarrësit studiojnë teknikën klasike të baletit, atë kontemporane si dhe laboratorin koreografik. Programi ka për qëllim të bashkojë studentë dhe profesionistë të baletit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera Europiane për një eksperiencë të përbashkët në zhanret e sipërpërmendura. Me një staf shumë të kualifikuar nga USA dhe vende të tjera të botës ky program është i pari i llojit të tij në Shqipëri. “ Dancing in Albania” i prodhuar nga Ajkun Media Arts- “Century Dance” USA u zhvillua në Shkollën Kombëtare të Baletit. Këtë ide drejtoresha e kësaj shkolle e përkrahu, që në hapat e para duke u bërë edhe vetë pjesë e stafit ndërkombëtar artistik dhe programi finalizohet me këtë shfaqje. Leonard Xhokaxhi është një emër shumë i njohur në skenën ndërkombëtare të baletit. Ndër rolet e tij më të realizuara janë “Romeo e Zhuljeta”, “Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, apo “Zhizel”. Në vitin 1991, gjatë një turneu me Anna Razzi-n ai shkoi në Itali ku dhe u bë kërcimtari kryesor i Baletit të Mantovës. Pati mjaft sukses duke dhënë shfaqje në gati 50 teatro të Italisë, Maltës, etj. Ajkuni ka kërcyer edhe para Giovanni Paolo II, kur askush nuk kishte mundur ta bënte më parë. Në 1994, balet maestri i madh Ileana Iliescu e kërkoi si artist të ftuar të nderit në Teatrin e Operave dhe Baletit të Bukureshtit, në Rumani, ku ai kërceu para Princit Siegfried, baletin “Liqeni i Mjelmave”. Në 1997 u nderua nga Shoqata Amerikane e Arteve Muzikore si ylli i kërcimit ndërkombëtar. Në vitin 1998, Arthur Mitchell e ftoi në Teatrin e Kërcimit në Harlem, ku ai u njoh për herë të parë me repertorin e George Balanchine. Në SHBA Leonard Ajkun ka kërcyer për baletin klasik të Los Angeles, Santa Barbara State Street Ballet, Dance Galaxy, Northeast Ballet, Griffin Ballet, etj./Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here