Autori i vrasjes së Angjelin Shkambit u arrestua ditën e djeshme. Pas dy vjetësh në arrati, shtetasi Artan Koçeku ra në prangat e Policisë së Shkodrës gjatë operacionit të koduar “Iron Hand”. Uniformat blu e konsiderojnë një person me rrezikshmëri të lartë 29-vjeçarin shkodran pasi në dhjetor të vitit 2017 ai vrau shokun e tij Angjelin Shkambi për një borxh 30 mijë euro, ngjarje për të cilën edhe është dënuar me burg. “Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Iron Hand”. Kapet dhe ndalohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje, i cili qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17.12.2017 ku ka mbetur i vrarë shtetasi A. Sh.. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, falë informacioneve të marra në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Iron Hand”, ku si rezultat është kapur dhe ndaluar shtetasi: Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër”, thuhet në njoftim. Sipas policisë, në momentin e arrestimit Artan Koçeku ka tentuar të largohet me vrap. Si prova materiale, blutë e Shkodrës sekuestruan dy armë. Ndërkohë, në pranga ra edhe një 24-vjeçar, i cili ishte me Artan Koçekun në momentin e arrestimit. Artan Koçeku ishte në kërkim për vrasjen e shtetasit Angjelin Shkambi. Gjatë asaj kohe ai ishte në burg për grabitjen e 8 pikave të ndryshme të karburantit, por mori një javë leje dhe la qelinë. Të hënën duhet të paraqitej sërish në burg, por mbrëmjen e të dielës ekzekutoi shokun e tij për një borxh 30 mijë që ky i fundit ia kishte marrë dhe nuk ia kishte shlyer. Pasi kreu vrasjen, Koçeku e vijoi jetën në arrati. I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet. Në shkurt të 2017, Koçeku u akuzua se ishte një prej personave që vendosi eksploziv në automjetin e P. Vuksani, efektiv në Komisariatin e Policisë së Pukës.
Arrestimi i Skënder Bakut
Në pranga ra dje edhe 53-vjeçari Skënder Baku, i cili po ashtu qe i shpallur në kërkim. Ai u arrestua nga Policia e Durrësit sepse ka qenë i dënuar me 35 vjet burg për vrasje. “Finalizohet operacioni policor i koduar “Revenge”. Kapet një person i shpallur në kërkim për vrasje, i dënuar me 35 vite burg. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të dënuar për vrasje, kanë zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Revenge”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim: Skënder Baku, 53 vjeç, banues në Luz, Fushë Krujë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata për Krimet e Rënda,Tiranë, më datë 28.09.2015, e ka dënuar me 35 vjet burg, për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ky shtetas më datë 01.09.2013 në qytetin e Fushë Krujës ka vrarë me armë zjarri shtetasin L. Sh. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia. Skënder Baku në vitin 2013 vrau vrasësin e vëllait të tij për hakmarrje. Në vitin 1992 Lulëzim Shera, viktima, pas një konflikti në burgun 313, ku ndodhej, vrau me sende të forta Arjan Bakun. Pasi vuajti dënimin për këtë ngjarje, ai Lulëzim Shera doli nga burgu. Por më pas ai u vra nga Skënder Baku, i cili mori hak për vrasjen e vëllait.