Sërish përplasje dhe debat në Komisionin e Ligjeve. Kreu i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi, ka braktisur mbledhjen pas përplasjes me kryetarin e Komisionit Ulsi Manja.
Alimadhi ka kërkuar të njihet me materialet e rregullores së Kuvendit, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga Manja, dhe nga kolegët e tij socialistë.
“S’kemi kohë të shikojmë pas, do ecim para”, ka thënë Manja.
Alimadhi i kthehet me fjalët: “Paskan bërë mirë ata që janë larguar nga parlamenti, ju nuk pranoni asnjë propozim, u jap të drejtë atyre”.
Pas këtij debati Alimadhi e ka braktisur mbledhjen.
Në rend të ditës së Komisionit të Ligjeve këtë të premte është vazhdimi i shqyrtimit nen për nen të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike mbi gjendjen në shërbimin civil, për vitin 2018”.








































