OSBE ka rrëzuar paketën antishpifje të qeverisë. Pak ditë më parë, qeveria mori një vendim në bazë të së cilës i jep kompetencat Autoritetit të Mediave Audiovizive për të gjobitur portalet që bëjnë lajme të rreme. Por për OSBE, vetëm gjykatat mund të vendosin lajme janë ose jo të vërteta. Sipas OSBE, gjyqësori është i pavarur për të vendosur për lirinë e shprehjes, duke theksuar se AMA nuk duhet të zëvendësojë drejtësinë. “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, thuhet në raportin e OSBE. Më tej në raport theksohet se AMA nuk mund ti shtrij kompetencat e saj në trajtimin e çështjeve të tilla siç është paketa e anti-shpifjes, duke shtuar se këto lloj masash duhet të trajtohen vetëm nga sistemi i drejtësisë. Në raportin e OSBE thuhet se duhet të krijohet një mekanizëm përpara gjyqësorit për mbrojtjen e qytetarëve por edhe të botuesve të lajmeve. “Duhet të krijohet një mekanizëm i duhur i apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit si mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja”, thuhet në raportin e OSBE.
Kompetencat e AMA
Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir vuri në dukje kompetencat e Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke thënë se mund të kufizojë aksesin në internet vetëm në tre raste. “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt”, tha përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir. Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.
Mbështetja
OSBE ka ofruar ndihmë për ligjin antishpifje të miratuar nga qeveria, duke shtuar se konsultimi publik duhet të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë përfaqësuesit e medias. “Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi të madhe që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të medias “, përfundoi përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir vëzhgon zhvillimet në të gjitha 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, duke dhënë paralajmërimet për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias./ Elisjeda Kiko