Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në vend do të vihet drejtësia. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se ngritja e SPAK është çështje ditësh, ndërsa u shpreh i sigurt që kjo strukturë do ta çojë deri në fund misionin për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta. “Reforma në drejtësi është drejt fundit, këto ditë del SPAK. Është drejt fundit sepse janë shqetësuar të gjitha palët dhe shumë mirë bëri që ndërhyri edhe Ruçi. SPAK do ta çojë deri në fund misionin e tij, gabime mund të bëjë, por do të ketë filtra të caktuar. SPAK do të vendosë drejtësinë. Edhe ne, edhe Kosova vuajmë për drejtësinë. Ne vetë nuk e bëjmë dot, ndërkombëtarët e morën përsipër. Pasi vendoset drejtësia, vijnë të gjitha”, deklaroi Spartak Ngjela. Sipas tij, të gjithë pushtetarët e korruptuar që e ndjejnë frikën nga SPAK po tentojnë të destabilizojnë vendin. “Këta janë të gjithë nën akuzë, luajtën për ekzistencën e tyre dhe deshën destabilizim. Por Amerika nuk mund ta lejonte këtë. Ajo ka një marrëveshje për Shqipërinë. Ata janë hedhur në destabilizim përmes korrupsionit. Është korrupsioni në Kosovë dhe korrupsioni në Shqipëri që është trembur dhe prandaj duan destabilizim dhe po tentojnë të shesin interesin kombëtar”, shtoi avokati. Duke u ndalur tek situata pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Ngjela tha se Shqipëria është më e fortë dhe kjo është meritë e SHBA. “13 tetor nuk mund të ketë. Nëse do të flisja për 13 tetorin, atëherë hyja dhe unë në marrëzi. Shqipëria e pas 30 qershorit është më e fortë. Shteti ishte në rrezik në 30 qershor. Nuk ishte një betejë për votën e lirë, por ishte një betejë për shtetin, do ta shkatërronte korrupsioni i ngritur në reformë shtetin apo jo. Evitimi i këtij rreziku ishte meritë e politikës amerikane. Politika amerikane e ka nisur këtë proces antikorrupsion në Shqipërie dhe do ta çojë deri në fund, ne nuk e bëjmë dot këtë. Ata kanë provat. Sa herë këta bëjnë gjullurdi, ata nxjerrin provat. Këta janë të gjithë në akuza. Këta luajnë për ekzistencën e tyre dhe donin destabilizim, por kjo nuk i interesonte politikës amerikane”, tha Spartak Ngjela.