Qeveria është e vendosur për t’i shkuar deri në fund procesit të vetingut në Policinë e Shtetit. Paralajmërimin e ka bërë ditën e djeshme zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, Hodaj bëri me dije se vetingu në Policinë e Shtetit pritet të fillojë javën e parë të gushtit me 245 drejtuesit e parë me funksione dhe grada të larta. Sipas tij, faza e parë për 245 drejtuesit me funksione dhe grada të larta do zgjasë deri rreth 1 vit. “Të parët para sitës së vetingut do të dalin drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu, e më pas me zv/drejtorja Aida Hajnaj, dhe më pas drejtorët e drejtorive në qendër. Ne shpresojmë që në fillim të gushtit të fillojnë seancat e para, por gjithsesi kjo nuk duhet marrë si absolute. Sipas ligjit në ditët e para të qershorit të 2020 ky proces duhet të ketë përfunduar”, deklaroi ai. Më tej, numri dy i Ministrisë së Brendshme theksoi se efektivët të cilët nuk do kalojnë vetingun nuk do kenë mundësi të rikthehen në radhët e bluve, ndërsa shtoi se vendet bosh do të mbushen me prurjet nga akademia e policisë. “Ne kemi parashikuar një masë më të butë që nuk është përjashtimi. Kemi menduar që nëse dikush, edhe këtë e parashikon edhe ligji, nëse dikush ka integritet dhe justifikon edhe pasuritë, nëse ka mangësi në pjesën profesionale, mund të riedukohet, riformohet tek akademia e sigurisë dhe mund të shërbejë në Policinë e Shtetit”, u shpreh ai. Ndërkohë, disa ditë më parë zoti Hodaj deklaroi me bindje se procesi do të jetë transparent. “Është një procedurë transparente! Informacionet mblidhen nga të gjitha institucionet publike dhe subjektet private. Hartohen raporte specifike për secilin nga komponentët, pra integritet, pasuri dhe profesionalizëm, vihen në dispozicion në punonjësit në vlerësim që mund të japë shpjegime të mëtejshme, të bëjë observime apo të paraqesë kundërshtime dhe në fund diskutohen në një seancë dëgjimore të hapur për mediat dhe publikun. Deri në qershorin e ardhshëm pritet që të ketë përfunduar proçesi për punonjësit e parë, ndërsa më pas për gradat më të ulëta”, nënvizoi Hodaj. Rreth 13 mijë efektivë policie pritet të kalojnë në filtrat e vetingut, proces që do të kryhet në pallatin e kongreseve, në sallat ku po kalojnë në sitë dhe njerëzit e drejtësisë. Vlerësimi në fazën e parë do të bëhet nga një Komisioni i jashtëm i përbërë prej 15 personash, që do të ndahen në tri grupe, ndërsa faza e dytë dhe e tretë do të zhvillohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.