Blindohen SPAK dhe BKH, zbardhen masat e sigurisë për gjyqtarët e prokurorët që do hetojnë pushtetarët, ja si do ndalen presionet e kërcënimet

0
416

Qeveria ka hartuar planin për sigurinë e SPAK, BKH-së dhe stafeve të tyre. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vijuar edhe ditën e djeshme seancat dëgjimore me kandidatët e Prokurorisë së Posaçme, duke treguar qartë se brenda korrikut SPAK do të jetë gati. Për këtë arsye, dje Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime sa i takon sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve për SPAK, për anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe godinat e tyre. Qëllimi i gjithë këtyre masave është për të ndaluar presionet, shantazhet, apo kërcënimet ndaj njerëzve që do të hetojnë pushtetarët e korruptuar. Deri më tani anëtarët e Krimeve të Rënda dhe prokurorë e tjerë kanë qenë lehtësisht të shantazhueshëm nga politika dhe bota e krimit. Kjo ka bërë që sot të mos kemi asnjë zyrtar pas hekurave. Por për t’i dhënë shtysë dhe frymëmarrje luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeveria ka vendosur që t’i marrë në mbrojte anëtarët e SPAK, në mënyrë që ata të mos jenë në trysni gjatë punës së tyre. Po çfarë parashikon vendimin? Kështu, në vendim thuhet që gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu sigurohet mbrojtja personale nga oficerë. Po ashtu, interesant është fakti se përveç anëtarëve të SPAK në raste të caktuara në mbrojtje do të merren edhe familjarët e tyre. “Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët. Zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës, nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij”, thuhet në vendim.

Blindohet godinat e SPAK dhe BKH

Përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve, masa ekstreme sigurie do ketë dhe për godinën e SPAK dhe atë të BKH. Sipas vendimit, këto institucione do të mbikëqyren me kamera dhe do të kenë të instaluar një nga sistemet më të sofistikuara që aplikohen për godina të kësaj natyre. Aty thuhet se hyrjet kryesore të godinës do mbikëqyren nga një ose disa punonjës të sigurisë. Kryetari i institucionit përkatës autorizon personelin si dhe persona të tjerë, të hyjnë në ambientet e tyre, nëpërmjet një hyrjeje të veçantë. Hyrja e veçantë, shërben edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari i institucionit përkatës. Sa i takon automjeteve, hyrja realizohet përmes portave të veçanta. Makinat mbikëqyren nga rojet e sigurisë. Sipas vendimit, kryetari i institucionit përkatës, në bashkëpunim me titullarin e strukturës së policisë, përcakton rregulla të hollësishme lidhur me vendosjen e pajisjeve të nevojshme të sigurisë në hyrjen kryesore dhe në brendësi të godinës së institucionit përkatës, në varësi të shkallës së rrezikshmërisë të vlerësuar në vijimësi. “Rregullat bazë të sigurisë që duhet të përmbushen janë, si më poshtë vijon: Pajisja me detektorë elektronikë, të cilët vendosen pranë hyrjes kryesore; Vendosja e pajisjeve për fikjen e zjarrit; Sinjalizimi i daljes së emergjencës; Harta e ambienteve të godinës së institucionit përkatës; Pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës së institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit përkatës; Pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë, si dhe në server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë 6-mujore deri në 1 vit”, thuhet në vendim.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here