Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja në Korçë. Pavarësisht se u fol për një grabitje, është zbuluar se motivi i krimit ishte një histori sentimentale. Sipas burimeve nga policia e Korçës, Gramoz Nako kishte krijuar lidhje me ish-bashkëshorten e Serefedin Zenellarit. Edhe pse Zenellari, kishte disa vite që ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij në Korçë, ai dyshonte se ish-gruaja kishte krijuar një raport intim me kunatin e tij, Gramoz Nako.
Mes Nakos dhe Zenellarit, gjatë dy ditëve më parë është zhvilluar një takim në një nga kafenetë e Korçës dhe më pas palët janë ndarë. Por në mbrëmje Zenellari ka shkuar në banesën e kunatit të tij, Gramoz Nako dhe e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kryerjes së krimit, Zenellari është larguar në drejtim të banesës së tij në Korçë, ku ka pritur deri në mëngjesin e ditës tjetër.Vrasja e Gramoz Nakos fillimisht nga prokuroria dhe policia e Korçës është menduar se kishte të bënte me një grabitje të mundshme dhe përgjatë gjithë natës policia e këtij qyteti ka shoqëruar dhe pyetur disa persona, të skeduar si grabitës në Korçë. Por gjatë kqyrjes së trupit të viktimës është konstatuar se ai nuk ka pasur shenja dhune. Edhe në ambjentet e brendshme të banesës, është konstatuar se nuk ka pasur thyerje të sendeve apo situatë rrëmuje.
Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria e Korçës kanë filluar të ngrenë dyshime se vrasja e Gramoz Nakos mund të jetë kryer mes rrethit familjar. Policia ka kërkuar shoqërimin e disa personave të rrethit familjar, mes të cilëve edhe kunatin e Gramozit, 71-vjeçarin Serefedin Zenellari. Ky i fundit, sapo ka mësuar lajmin se policia kërkonte shoqërimin dhe pyetjen e tij në komisariat, ka vendosur të vrasë veten, brenda në banesën e tij.








































