Procesi i vetingut vijon të shkaktoj tërmet në sistemin e drejtësisë. Dje është shkarkuar nga detyra kreu i Prokurorisë së Apelit Gjirokastrës Alfred Agolli. Shkak i këtij vendimi është bërë pasuria e tij, të cilën nuk e justifikonte. Po ashtu, probleme ka pasur edhe me profesionalizmin, pasi nuk ka njoftuar palët për pushimet e hetimeve. Ndërkohë në Kolegjin e Apelimit janë shtuar kërkesat për shkarkimin e Xhezair Zaganjorit. “Ne, ushtarakë në pension, u drejtohemi me këtë “Rekurs” Publik kundër vendimit të KPK, që konfirmon në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, zotin Xhezair Zaganjori”. Kështu e kanë nisur ushtarakët letrën e tyre në drejtim të Kolegjit të Apelimit, duke renditur disa prej shkeljeve që Zaganjori ka bërë në ligjin e pensionit të ushtarakëve. Sipas tyre, pensioni është një e drejtë për të jetuar në normalitet, duke shtuar se kjo e drejtë po denigrohet. “Skandali më i madh ndodhi pikërisht me vendimin Unifikues nr. 3/2016, ku Kolegji i Bashkuar me iniciativën e kryesimin e zotit Zaganjori firmosën vendimin, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe tërë praktikën gjyqësore të zbatuar për dekada të tëra. Madje ai është një akt kriminal ndaj armatës së madhe të ushtarakëve në lirim, që për 20 vjet, nga të tre pushtetet, por sidomos këto 10 vitet e fundit po denigrohet, masakrohet, poshtërohet, nuk lihet i që të gëzojë atë mizerabël pension, që lidhet me të drejtën për të jetuar në normalitet e me siguri, për të siguruar elementët jetikë,bukën, veshjen, ilaçet për ditët që u kanë mbetur prej kësaj bote”, thuhet në letrën e ushtarakëve.
Vendimet e marra
Më tej, në letrën e tyre ushtarakët shprehen se sistemi i drejtësisë u shkatërrua në momentin kur Gjykata Kushtetuese ishte funksionale me gjyqtar të emëruar pa meritë, por që u lanë jashtë sistemit përmes procesit të vetingut. Ata shprehen se në atë kohë, Zaganjori rrëzoi unanimisht kërkesën e drejtë të ushtarakëve për të përfituar pension, duke shtuar se kjo e drejtë e tyre nuk do të ndikonte aspak në borxhin publik të vendit. “Më i qartë roli i tij, në shkatërrim të sistemit tonë në Drejtësisë, duket pikërisht në kohën kur Gjykata Kushtetuese , pasi u kompletua tërësisht me militantë besnikë të titullarëve antishtet të tre pushteteve (dhe që sot nga Vettingu janë jashtë sistemit të drejtësisë) mori vendimin ogurzi Nr.2/2013, si nga më të pashembulltit, antikushtetues, ku relator ishte zoti Xhezair, unanimisht rrëzuan kërkesën e drejtë dhe interesin e ligjshëm të Shoqatës të Ushtarakëve Xhenierë, një e drejtë kjo kushtetuese e legjitime edhe për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura. Ky vendim, u mor me “argumentin” alogjik, në emër të “interesit publik” të Krizës Globale apo Defiçitit të Borxhit Publik, të Buxhetor Shtetëror e të tjera. Dihet botërisht që Krizën Botërore Globale, apo dhe Borxhin Publik nuk e sollën aspak ushtarakët në lirim, pasi ato janë fenomene gjithëpërfshirëse për mbarë vendin e më tej”, thuhet në letrën e ushtarakëve.
Mungesa e drejtësisë
Më tej, ushtarakët shprehen se të gjitha vendimet e marra nga Xhezair Zaganjori nuk japin drejtësi, duke shtuar se ankesat në drejtim të tij janë të shumta. “Për fatin e keq të shqiptarëve, ka ndodhur e ndodh pikërisht ajo që tek ne ka munguar e mungon liria e drejtësia, mbretëron tirania dhe arbitrariteti. Në vendosjen e këtij sundimi ka pjesën e vet të “meritës” dhe Gjykata e Lartë, pas vitit 2009 dhe sidomos e kryesisht me ardhjen në krye të saj të Kryetarit aktual, zotit Xhezair Zaganjori, i njohur si mbështetës i thekur i tiranisë së dy pushteteve të tjera, mbështetje që i është shpërblyer me pozitë-detyra të larta. Kjo duket qartë në vendimet e marra prej tij, apo të Kolegjeve që kryeson në vite, që nuk japin drejtësi, dhe rekurset janë bërë “mal” sa në vetë Gjykatën e Lartë e deri në GJEDNJ në Strasburg, dhe për shkak te tyre janë miliona Euro që kjo Gjykatë ndëshkoi shtetin shqiptar, për shkak të korrupsionit të lartë në gjykatat tona, që nuk japin drejtësi”, thuhet në letrën e ushtarakëve.
Elisjeda Kiko