Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan, miratoi zgjerimin e pronës “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Pjesa shqiptare e rajonit të liqenit të Ohrit bëhet pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s. Por për specialistët e trashëgimisë kulturore pjesa shqiptare e bregut të liqenit vazhdon të kërcënohet nga të njëjtat rreziqe, që ishin të pranishme edhe në vitin 2012. Specialistët e trashëgimisë kulturore shprehen se autoritetet shqiptare duhet të reflektojnë pse Pogradeci, Lini apo Tushemishti nuk përmenden në listën e UNESCO-s. Arkitekt restaurues dr. Kliti Kallamata pohon se në vitin 2012 Misioni Këshillimor për Studime identifikoi në territorin shqiptar disa rreziqe. “Para se të nxitojnë të mburren autoritetet shqiptare duhet të reflektojnë. Pse Pogradeci, Lini, apo Tushemishti nuk përmenden në listën e UNESCO-s? Në vitin 2012 u ngrit një Mision Këshillimor për Studime për të vlerësuar mundësinë e shtrirjes së zonës së mbrojtur nga UNESCO edhe në pjesën e Shqipërisë. Ky mision u ngrit nga dy organe këshilluese në Komitetin e Trashëgimisë Botërore ICOMOS dhe IUCN dhe u financua përmes Ndihmës Ndërkombëtare të Fondit të Trashëgimisë Botërore. Misioni identifikoi në territorin shqiptar këto rreziqe kryesore:1-Zhvillim urban i paplanifikuar; 2- Mbeturinat dhe mbetjet e ngurta që hidhen pa kriter; 3-Habitati natyror po ndryshon; 4- Shkatërrimi dhe zhdukja e burimeve natyrore” pohon arkitekti Kallamta. Sipas tij për të eliminuar këto rreziqe filloi të zbatohej një projekt i financuar nga BE-ja “Drejt forcimit të qeverisjes së trashëgimisë së përbashkët ndërkufitare natyrore dhe kulturore të rajonit të Liqenit të Ohrit”, i cili synonte të forconte bashkëpunimin ndërkufitar dhe efektivitetin e menaxhimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit, duke u adresuar veçanërisht ndaj kërcënimeve kryesore që kishte identifikuar misioni në vitin 2012. Arkitekti shprehet se rezultati deri në fund të projektit në vitin 2018 ishte tepër minimal dhe pjesa shqiptare e bregut të liqenit të Ohrit vazhdon të kërcënohet nga rreziqet. “Gjatë gjithë këtyre viteve dhe insistimit maksimal të ekspertëve të shumtë europianë që erdhën me këshilla konkrete për të përmirësuar situatën institucionet shqiptare qendrore e lokale u treguan herë indiferente e herë hipokrite, duke mos ndërmarrë asnjë hap për të eliminuar rreziqet që kërcënojnë këtë territor e që ishin evidentuar qysh më 2012 nga Misioni i përbashkët ICOMOS dhe IUCN. Pjesa shqiptare e bregut të liqenit të Ohrit sot vazhdon të kërcënohet nga të njëjtat rreziqe që ishin të pranishme edhe në vitin 2012. Pra, natyrshëm që Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur këto ditë në Baku mori vendim që liqeni i Ohrit, të trajtohet njësoj dhe të menaxhohet si një i tërë, si pasuri botërore në UNESCO, por pa përmendur si pasuri botërore asnjë nga vendbanimet e Pogradecit, Linit, apo Tushemishtit”, vijon Kallamata.
Neglizhenca e institucioneve
Për arkitektin Kliti Kallamta problemi është vetëm te neglizhenca që kanë treguar deri tani institucionet shqiptare. “Të paktën një vendbanim duhet të ishte në atë pjesë e listës mirëpo nuk arrin dot. Nuk është vetëm problem i kësaj qeverie, kjo është ndër vite. Problemi është me neglizhencën se si është trajtuar e gjithë kjo pjesë e territorit, që është lënë në dorë në duart e disa kryetarë bashkish e komunash që janë sjellë si bejlerë”, pohon ai. Duke folur mbi problematikat e zonës, arkitekti Kliti Kallamata shton se edhe këtë propozim për pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit e bëri UNESCO. “Ishte dëshira e UNESCO-s për ta futur dhe pjesën tjetër, sepse një liqen treçerek ishte në UENSCO dhe një çerek nuk ishte. Por dhe këtë propozim e inicioi vetë UNESCO, jo qeveria shqiptare”, pohon specialisti. Një vit më parë arkitekti Kliti Kallamata botoi “Udhëzime për trashëgiminë ndërtimore në dhe përreth Pogradecit, në anën shqiptare të liqenit të Ohrit”, por sipas tij institucionet nuk treguan interes. Piktori Anastas Kostandini e ka pritur me entuziazëm lajmin qëpjesa shqiptare e rajonit të liqenit të Ohrit është në UNESCO, por shton se ndaj Pogradecit nuk ka pasur vëmendje nga institucionet. “Ne e kemi shpartalluar Pogradecin. Nuk i kemi lënë kulturë shumë”, pohon piktori pogradecar. Sipas Kostandinit, prej vitesh Pogradeci po përballet me abandonimin. “Trashëgimia natyrore është një gjë që e ka dhënë zoti, por trashëgiminë kulturore duhet ta mbrosh. Si pogradecar që jam po ju them që ndaj Pogradecit vazhdon një neglizhencë ekstreme, jo vetëm me përbuzje, por një abandonim dhe një mosinteresim për kulturën e rajonit tonë”, shprehet piktori i njohur.
Nga Julia Vrapi