Marrëveshja e re diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ka shqetësuar Rusinë. Sipas agjencisë së lajmeve ruse “Tass”, Moska ka bërë me dije se është e shqetësuar për marrëveshjen që Shqipëria dhe Republika e Kosovës kanë bërë për të unifikuar misionet e tyre diplomatike, konsullatat dhe ambasadat në vendet e treta. Këtë lajmërim e bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse, ku në reagimin e saj theksohet se mosreagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për këtë marrëveshje, po inkurajon ndjenjën e Shqipërisë së Madhe. Moska i sheh si provokim marrëveshjen ere diplomatike mes Tiranës dhe Prishtinës, duke theksuar se kjo mund të shkaktoj shqetësime serioze. “Hapat provokative nga Tirana dhe Prishtina, të cilat janë në përputhje me konceptin e Shqipërisë së Madhe, shkaktojnë shqetësim serioz. Ne duam të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar vërtet ndjenjën e Shqipërisë së Madhe që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse. Ministria e Jashtme ruse shton se ky veprim nga Tirana dhe Prishtina nuk është aksidental, duke shtuar se kjo marrëveshje pengon dialogun Kosovë-Serbi, si dhe minon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, në reagimin e saj Ministria e Jashtme ruse thekson se me këtë lloj politike, autoritetet shqiptare dhe ato kosovare janë në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Ata kanë bërë deklarata të de-fakto për bashkim që disa vite. Një politikë e tillë e autoriteteve shqiptare dhe kosovare është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pengon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e Bashkimit Europian dhe minon stabilitetin në Ballkan”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse.