Kryebashkiaku i Partisë Socialiste i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri, i është përgjigjur kryebashkiakes aktuale të Shkodrës, Voltana Ademi, e cila një ditë më parë iu drejtoi një letër ambasadorëve të huaj në Shqipëri.
Ajo u kërkoi të ngrinin një komision ndërkombëtar, në mënyrë që të dorëzonte detyrën te pasardhësi i saj.
Lidhur me këtë kërkesë të Ademit, kryebashkiaku i ri që pritet të marrë detyrën i kërkon paraardhëses së tij të mos iu drejtohet ndërkombëtarëve.
Sipas Pjetrit, Ademi do të duhet të lirojë zyrën e Bashkisë së Shkodrës pas vendimit të gjykatës.“Nga ndërkombëtarët Ademi s’ka pse kërkon ndërhyrje. Ademi pas vendimit të gjykatës do të duhet ta lirojë zyrën. Asgjë nuk na pengon për të marrë zyrën e Bashkisë. Voltana Ademi duhet të lirojë zyrën e Bashkisë”, ka deklaruar Valdrin Pjetri.
Referuar kërcënimeve të disa kryebashkiakëve të PD-së të cilët janë shprehur se nuk do t’i lirojnë zyrat për t’i lënë detyrën kryebashkiakëve të rinj, Valdrin Pjetri tha se është i prirur të mos e besojë se kjo do të ndodhë.
“Nuk jam i pritur ta besoj se si një qytetar i bashkisë së Shkodrës që ka mbajtur funksione të larta, mund të mos ekzektuojë një vendim gjykate. jam i pritur të mos e besoj. Të presim datën 13 në mëngjes, dhe prap do të jemi bashkë”, theksoi ai








































