Berisha e akuzon për sulm me bombë ndaj shtëpisë së tij, Fatos Klosi: Saliu mbetet gënjeshtari numër një, nuk janë të gjithë kriminelë si ai

0
357

Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi dhe ish kryeministri Sali Berisha janë përplasur dje në distancë mes tyre. Fillimisht ka qenë ish kryeministri Sali Berisha, ai i cili ka reaguar mbi sulmin ndaj analistit Fatos Lubonja, duke u shprehur se ish kreu i SHISH ka tentuar t’i vendosë bombë në apartamentin e tij. Në një reagim në rrjetin social Facebook, ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama duke u shprehur se këto sulme janë të urdhëruara prej tij. “Qëndrimi zyrtar ndaj këtyre akteve dhune e terrori shtetëror duke larë duart dhe paraqitur ato si vepër e të sëmurëve psikik, fakton gjithashtu qartë përzgjedhjen e këtyre delinkuenteve nga kupola e mafies shtetërore si dorë e zezë e saj. Po rikujtoj këtu se një person si këta përzgjodhi vite më parë krimineli dhe agjenti i shërbimeve armike Fatos Klosi për të hedhur bombën tek apartamenti im por që i shpërtheu në dorë dhe i mori jetën”, tha Berisha.

Reagon Klosi

Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka reaguar mbi akuzat që ish kryeministri Berisha ngriti në drejtim të tij. Në një prononcim për gazetën “SOT”, Klosi hodhi poshtë të gjitha pretendimet, duke u shprehur se Berisha mbetet gënjeshtari numër një në vend. Sipas Klosit, akuzat e Berishës kanë për qëllim të ulë figurën e të tjerëve dhe të tregojë se nuk është i vetmi kriminel. “Nuk kam asnjë qejf ta komentoj Berishën, por ai është një rrenacak skandaloz. Është gënjeshtari numër një për mua, nuk kam njohur të tjerë më të mëdhenj se ai. Berisha çdo gjë e komenton ashtu siç do ai, siç i pëlqen atij dhe siç i duket atij. Ai ka qëllime kur thotë shpifje e gënjeshtra, kërkon që të ulë figurën e atij tjetrit dhe të tregojë që nuk është vetëm ai kriminel. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të kishte ndodhur që unë të paguaja një njeri që t’i gjuante shtëpisë së tij me bombë. Nuk e kishim fare në plan këtë punë të trembnim Berishën, ne e konsideronim detyrë tonën që ta mbronim atë njeri sepse ishte kryetar i opozitës dhe një nga detyrat ishte që në kuadër të ruajtjes së sigurisë në vend, t’ju sigurohej siguri edhe personaliteteve të larta të rëndësishme, qoftë të opozitës, qoftë të pozitës”, tha Klosi.

Akuzat

Ish kreu i SHISH Fatos Klosi deklaroi se nuk kishte asnjë arsye që të vendoste persona për të sulmuar shtëpinë e Berishës. Sipas tij, filozofia e ish kryeministrit është që SHIK bën çdo gjë të keqe dhe akuzat vijnë pasi ai ka qenë në krye të këtij institucioni. “Nuk e imagjinoj dot që unë të vija një njeri që t’i gjuante shtëpisë së tij me molotov. Ai më sulmon vazhdimisht sepse kjo besohet. Ai e ka merak që gjërat që thotë të besohen, nuk ka ndonjë merak me mua, por e ka me SHIK-un. Njerëzit besojnë se SHIK-u bën çdo gjë, gjithë të ligat në këtë vend, kjo ishte filozofia e Berishës. Për çdo gjë më ka akuzuar meqë isha pjesë e SHIK-ut. Këtë është hera e parë që e dëgjoj dhe më vjen për të qeshur me thënë të drejtën. U plak dhe më vjen edhe gjynah për të që e ka akoma të nevojshme të gënjejë. Ndoshta mund të ishte plakur në qetësi, me nipërit e vet dhe mbesat e veta, të mos kishte më nevojë të gënjente. Tani nuk ka çfarë fiton, tani e ka përgjegjësinë Lul Basha ta marrë pushtetin”, u shpreh Fatos Klosi. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here