Rudina Hajdari 5 ditë më parë u shpreh se donte kërkonte kohë për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Ndërkohë ditën e sotme grupi i kryesuar nga Rudina Hajdari ka bërë propozimet për të qenë pjesë e këtij Komisioni.
Dy propozimet e Hajdarit për komisionin me 9 vende janë Alban Zeneli dhe Halit Valteri, të cilëve do t’iu bashkohen dhe dy deputetë nga radhët e të pavarurve të dalë nga listat e LSI-së. Më herët gjatë paradites së sotme edhe PS ka dhënë pesë emrat e saj për këtë komision që janë:
Ulsi Manja kryetar komisioni dhe anëtarët: Vasilika Hysi, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino dhe Alket Hyseni.
Çfarë deklaronte Rudina Hajdari 5 ditë më parë:
“Unë propozova shtyrjen e komisionit hetimor meqë nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese. Nuk është koha e duhur. Nga ana proceduriale nuk e ndaloj dot sepse është kërkesë e 55 deputetëve të maxhorancës por ne nuk kemi pse të nxitohemi. Nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të vërtetohet në një moment më normal”.